Posta e Kosovës sot lëshoi në qarkullim pullat postare me imazhin e xhubletës shqiptare, e cila u mor në mbrojtje nga UNESCO.
Posta e Kosovës sjell imazhin e bukur të Xhubletës në pulla postare, përmes të cilave, do të promovojë kudo nëpër botë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe materiale.
Xhubleta, veshja tradicionale me origjinë të lashtë, tipike për gratë e Shqipërisë së Veriut, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, është një fund popullor i valëzuar që përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Ajo mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.
Në shek. XVIII xhubleta ishte realizuar me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinet, xhoka, kërdhokulla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen e valëzuar.
Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë Iliriane, nëpërmjet së cilës ne paraqesim historinë e kombit tonë që malësorët tanë e kanë përcjellë deri në vitet 1950 -1960, pra është e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja.
Top Channel