Shtetasi serb Dejan Pantiç është lënë në arrest shtëpie, pas arrestimit disa javë më parë.
Pas ndalimit të tij, serbët e veriut të shenjë proteste vendosën bllokada në pikat kryesore të qarkullimit në veri të Kosovës.
Prej javësh tashmë, serbët lokalë të veriut të Kosovës kanë bllokuar rrugët, duke kundërshtuar arrestimin e Dejan Pantiç, ish polic i Kosovës, i cili dyshohet se është përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe policisë.
Në ditën e 19-të nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, pikëkalimi kufitar në Merdare është mbyllur për shkak të vendosjes së barrikadave nga pala serbe.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e u ka bërë thirrje emigrantëve të përdorin pika të tjera. Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Kryeministri i Kosovës, Albion Kurti është shprehur i habitur me ndërrimin e masës së sigurisë për Pantiçin.
“Nuk e di çështjen gjyqësore të atij që është i pandehur, për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ai e ka statusin e paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm. Meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. Por a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim”, tha ai.
Kurse djali i Dejan Pantiçit, Predrag Pantiç i atribuon ndërrimin e masës Aleksandar Vuçiç.
“Faleminderit popullit, faleminderit presidentit Vuçiç, na thirri tani, foli me nënën e tij, jemi shumë të gëzuar dhe ende në mosbesim sepse ngadalë humbëm shpresën se çfarë do të ndodhë me babanë tonë. Pak më parë na telefonoi një avokat dhe tha se ka marrë vendim për arrest shtëpie për të atin. Po te mos kishte qene populli, te mos ishte kaq i përfshirë shteti dhe presidenti Vuçiç, po të mos kishit qenë ju nga media, kushedi se çfarë do te kishte ndodhur me babin tim, nuk e di. Megjithatë shpresonim që një padrejtësi e tillë të mos i ndodhte. Ne presim të vijë gjatë ditës, nuk e di procedurën e saktë, por tani presim të vijë dhe gjithçka do të jetë më e lehtë tani”, tha ai.
Top Channel