Në 12 mars 2022 kryeministri Rama përmes një njoftimi në Facebook, deklaronte se çmimet e karburantit do të kalonin në filtrin e transparencës dhe marzhi i fitimit të kompanive do të ngrinte për të mos lejuar asnjë abuzim.
Por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Brenda një kohe të shkurtër u hartuan 2 akte normative të ndryshme për Bordin e Transparencës.
“Bordi i transparencës erdhi si një përgjigje ndaj protestës së qytetarëve në fillim kur çmimi filloi të kapte këto përmasa të paimagjinueshme. Shqipëria ka varijuar diku te 160-170 lekë për litër por asnjëherë nuk kishte kaluar në mbi 200 lekë”, u shpreh Panajot Soko, Ekspert Ekonomie.
Ky është akti i parë normativ që mban datën 12 mars 2022 ku përcaktohen anëtarët e bordit, kompetencat dhe përgjegjësitë e bordit, metodologjia e përllogaritjes së çmimit etj.
“Kemi një bord që quhet i transparencës por mungon transparenca. Elementi më kryesor është që nuk dihen anëtarët e bordit”, u shpreh Valmira Hoxha, Shoqëria Civile.
Nga 12 marsi deri në fillim të prillit çmimi është përllogaritur sipas aktit normativ të parë. Ky akt përcaktonte që çmimi do të përllogaritej duke u bazuar në çmimin e shpallur në bursa, në Platts një ditë më parë nga mbledhja e bordit, në kushtet CIF MED.
Këtij çmimi do ti shtohej një vlerë premio prej 20 dollarë për ton. Çmimi premio është çmimi i transportit. Për shoqëritë e tregtimit me shumicë do të lejohej një shtesë mbi këtë çmim prej 1% në të cilat aplikoheshin edhe taksat e tarifat. Për kompanitë e tregtimit me pakicë shtesa ishte jo më shumë se 5% mbi çmimin e llogaritur.
Por kjo ndryshoi shumë shpejtë. Një tjetër akt normativ u miratua për bordin e transparencës. Sipas këtij akti çmimi do të përllogaritej sipas çmimit të vendosur në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa çmimi premio nuk është më 20 dollarë për ton po ky çmimi do të vendoset sipas faturës së importit. Kjo pasi kompanitë e importit të karburanteve janë ankuar se premio që paguanin varionte nga 60-80 dollarë për ton.
Pra, kompanitë e importit u ankuan se çmimi premio ishte më i lartë për shkak të distancës së madhe të rrugës. Pyetja që shtrohet është, po ata që importojnë nga vendete fqinje si Greqia dhe Italia sa e paguajnë çmimin premio, 20, 60 apo 80 dollarë për ton? Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, rezulton se Italia qëndron në vend të parë për importin e hidrokarbureve me plot 15 % të totalit, ose 161 milionë litra në vit.
Pra, këtu është e qartë se si abuzohet me çmimin premio që barazohet si me Italinë fqinje përballë Adriatikut edhe me vendet më të largëta nga ku importojmë më pak.
Top Channel