Çantat e shkollës ‘plumb’! Ortopedi: Rrezikohet deformim i shtyllës kurrizore te fëmijët

28/12/2022 20:45

Të gjithë kemi para çantat e mëdha dhe të rënda të fëmijëve  në 9- vjeçare,  ndaj dhe Fiksi ndërmori një vëzhgim  për të parë sesa rëndojnë këto çanta. 

Prindërit ankohen se oraret e ngjeshura që kanë fëmijët, tejmbushin çantat e tyre me libra dhe fletore pune me një peshë të konsiderueshme. Peshë kjo që në një moshë të tillë  shkakton dhe ka shkaktuar probleme me  shtyllën kurrizore.

Nga vëzhgimi i Fiksit u pa se prindërit i shoqëronin fëmijët brenda  ambienteve të shkollës duke ia mbajtur ata çantën.

Për të kuptuar se sa peshojnë çanta e shkollës me librat brenda Fiksi mori një peshore.  Nga peshimi i çanta u pa se ato varionin nga pesha 5 kg deri në 9.2 kg. Saktësisht çanta e një fëmijë që ndjek klasën e gjashtë, peshonte nga 5.1 kg deri në 9.2 kg ( ditën e premte). Përsa u përket fëmijëve që ndjekin klasën e parë çanta e tyre peshon 9-14 kg, ndërkohë që mesatarisht peshën trupore e kanë 22 kg. Fiks Fare pyeti një mjek ortoped se çfarë rreziqesh u kanosen fëmijëve nga pesha e çantave të shkollës. Ortopedi Endrit Mone shpjegoi rrezikshmërinë që ka pesha e çantës sidomos tek grupmoshat 8,9 vjeç dhe 12-13 vjeç. Kjo pasi kjo është moshë delikate ku muskulatura ende nuk është formuar.

Me mbingarkim peshe këto mosha mund të ndjejnë dhimbje akute  në zonën e qafës dhe në zonën e shpinës, por mund të shkojë  deri tek postura e cila kthehet në dhimbje permanente . Sipas ortopedit pesha e çantës nuk duhet t’i kalojë 10% deri në 12% të peshës trupore . Pra me një shembull të thjeshtë një fëmijë që peshën trupore e ka 28 kg nuk mund të mbajë një çantë më të rëndë se 3 kg.

Pas vëzhgimit të bërë në terren Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit , e cila në përgjigjen e saj renditi disa hapa që ka ndërmarrë në vite për të lehtësuar  çantat e nxënësve. Në këtë përgjigje thuhet se “Hapi i parë është praktika ‘3 në 6′ ,  sipas të cilës nëpër klasa realizohen dy orë të së njëjtës lëndë duke reduktuar  numrin  e librave që nxënësi merr në çantë”.

Gjithashtu, për të ulur peshën e çantës apo numrin e librave në çantë, Ministria e Arsimit këtë vit rriti numrin e shkollave ku praktikohet nisma “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”, duke i bërë nxënësit që detyrat t’i bëjnë në shkollë dhe të mos transportojnë libra për në shtëpi. “Këtë vit janë shtuar edhe 150 shkolla në këtë nismë, duke e çuar numrin total në 300’ shkruhet në përgjigjen e ministrisë.

Madje kanë filluar edhe bisedimet mes Ministrisë së Arsimit dhe shtëpive botuese që këto të fundit të rishikojnë parametrat e letrës së përdorur për botimet shkollore, për të bërë libra më të lehtë.  Për disa nga librat, po diskutohet botimi i tyre në dy pjesë.

Edhe pse kjo ministri ka filluar tashme zbatimin e këtyre masave, siç u pa në vëzhgimin e Fiks Fare në shkollat e kryeqytetit, problemi nuk është zgjidhur. Çantat e nxënësve të arsimit fillor variojnë nga 5 kg-14 kg, ndërkohë që specialistët thonë se nuk duhet të kalojnë 10% peshës së tyre trupore.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA