Edhe në Durrës besimtarët e krishterë po kremtojnë lindjen e Jezu Krishtit.
Në të gjitha kishat katolike, ortodokse dhe ungjillore të Durrësit besimtarët janë mbledhur për të festuar ardhjen e madhe. Paraditen e sotme, mesha e lindjes së Krishtit u shërbye në kishën ortodokse të Shën Astit dhe Shën Pavlit në qytetin bregdetar, si dhe në kishën katolike të Shën Domenikut.
Meshat dhe ceremonitë e tjera u ndoqën nga besimtarë të të gjitha moshave, të cilët, përpos traditës së të festuarit, ndjejnë nevojën për t’u përmbushur shpirtërisht dhe për të qenë sa më pranë zotit të tyre në këtë ditë të shënuar për kalendarin e besimit të krishterë.
Në vigjilje të ngjarjes së Lindjes së Krishtit, famullia ortodokse pas një ndërprerje për shkak të tërmetit e pandemisë ktheu dhe një traditë të bukur. Sipas saj, fëmijët transmetojnë me gëzim lajmin e lindjes së Shpëtimtarit në familje besimtare të qytetit. Ky lajm përcillet me këngët e njohura ndryshe si “Kolendrat”, një traditë e bukur dhe e trashëguar në vite.
Ndërsa vizitojnë dhe trokasin në dyert e besimtarëve, duke kënduar këngët festive, të moshuarit sjellin kujtimet e tyre të kolendrave dhe duke ruajtur këto tradita të bukura, këndojnë dhe urojnë së bashku për Krishtlindje të bekuara.
Top Channel