Shërbimi Inteligjent Shqiptar nuk do të vijojë të drejtohet nga Helidon Bendo, detyrë që e mbante prej nëntorit të vitit 2018.
Ishte kryeministri Edi Rama ai i cili njoftoi se Helidon Bendo i kishte dorëzuar dorëheqjen dhe në vazhdim pas studimeve pas-universitare në SHBA, do të jetë këshilltar i tij për reformën e institucioneve të sigurisë.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ndërton të gjithë kronologjinë e zhvillimeve në SHISH të ditëve të fundit që çuan në largimin e Helidon Bedos me pëlqimin e kryeministrit Edi Rama dhe dekret lirimi nga detyra, aprovuar nga presidenti Bajram Begaj.
Disa muaj më parë Top Channel raportoi se Helidon Bendo kishte shkuar në SHBA me trajnim 12-mujor. Në kushtet kur SHISH prej shumë vitesh kishte mbetur pa zëvendës drejtor, prej 31 Gushtit 2022 në këtë pozicion u emërua Olian Kanushi, ish këshilltar i kryeministrit Edi Rama.
Vajtja e Kanushit në SHISH, shpejtoi largimin e kryetarit Bendo.
Top Channel mëson se Helidon Bendo ndërpreu kursin një vjeçar në SHBA dhe është rikthyer me urgjencë në Tiranë gjatë muajit dhjetor.
E gjitha kjo sepse zëdhënësi i tij Olian Kanushi, gradualisht po merrte në dorë frenat e drejtimit të SHISH paçka se Bendo ishte ende në detyrë, megjithëse kishte shkuar për specializim në SHBA.
Për situatën e tensionuar të ditëve të fundit mes Bendos dhe Kanushit, një burim në SHISH bëri dha këtë koment për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu.
“Disa ditë më parë drejtori Helidon Bendo mbërriti në zyrë duke i surprizuar të gjithë. E dinin vetëm disa njerëz të tij të afërm. Më pas ka shkuar në zyrën e Oljan Kanushit ku kanë pasur një përplasje verbale. Muajt e fundmi në SHISH kanë ndodhur shumë lëvizje të disa drejtorëve nëpër Shqipëri. Disa me lidhje të forta me Helidon Bendon, kanë filluar të japin dorëheqjen”, u shpreh një burim nga SHISH.
I njëjti burim vlerëson se situata aktuale në SHISH nga njëra anë me Olian Kanushin i cili po kryen lëvizje drejtorësh të cilat u tentuan të ndalohen pa sukses nga Helidon Bendo është kaotike. Lëvizjet në SHISH nisën pasi struktura e Shërbimit Informativ u komprometua nga sulmi i hakerave iranianë që arritën të hyjnë në serverat e shërbimit sekret dhe të ekspozojnë gjithë personelin.
Në një koment në lidhje me këtë sulm, kryeministri Rama e cilësoi SHISH një strukturë të vjetruar.
Me emërimin e këshilltarit të kryeministrit në krye të SHISH, ndodhi një ndryshim i fortë në strukturat drejtuese që i parapriu shkarkimit të Helidon Bendos me dekret të presidentit Begaj.
Top Channel