Kryeministri Edi Rama premtoi se të gjithë studentët që do të ndjekin degën e mësuesisë, do të paguhen çdo muaj deri në përfundim të studimeve, me një page, sa paga minimale.
“Ne qysh në fillim rritëm shkallën e kërkesës për ata që hyjnë në shkollën e mësuesisë ndërsa aktualisht që flasim shkollën e mësuesisë e kemi kthyer një ndër programet që janë prioritet kombëtar dhe studentët që do të ndjekin mësuesinë do të përfitojnë një bursë mujore që do të jetë në vlerën e pagës minimale”, tha Rama.
Pasi vlerësoi portalin mësues për Shqipërinë që sipas tij ka vënë drejtësi në emërimet e mësuesve, kreu i qeverisë shtoi se drejtimi i shkollave nuk është në nivelin e duhur.
“Nuk kemi në nivelin drejtuese të shkollave ende të dhënat e nevojshme për të thënë që siç kemi arritur të garantojmë se sot në Shqipëri janë më të mirët që japin mësim ndër mësuesit, të njëjtën gjë ta themi dhe për drejtimin e shkollave, që janë më të mirët që drejtojnë. Kjo nuk është e vërtetë dhe për këtë arsye jemi shumë të investuar në këtë drejtim me Shkollën e Drejtorëve”, tha Rama.
Top Channel