Richard Gere zemëron fqinjët e pasur duke lejuar kullën e antenave celulare mbi hotelin e tij (fotot)

20/12/2022 18:50

Aktori amerikan Richard Gere ka mbështetur ndërtimin e një kulle celularësh në pronën e tij në qytezën e Bedford, pranë New York, duke tërbuar fqinjët e tij të famshëm si aktori Jerry Seinfeld dhe prindërit e aktorëve Rooney and Kate Mara, shkruajnë mediat vendore.

Gere, i cili është bashkëpronar i hotelit Bedford Post Inn ka ofruar tokën e tij për ngritjen e kullës 40-metra të lartë me antena 5g në një prej zonave më ekskluzive amerikane.

Fqinjët ankoheshin se Gere “kishte lejuar ndërtimin e kullës së antenave të fuqishme celulare në këmbim të aprovimit të planeve të zgjerimit të hotelit” nga zyrtarët e bashkisë.

Me ndërtimin e kullës së kontestuar celulare, mbyllet një padi që kompania celulare Verizon ka ngritur ndaj bashkisë së Bedford që ka refuzuar më parë dy vendndodhje të propozuara nga kompania.

Por vendasit e pasur e të fuqishëm, duke përfshirë dhe Kathleen Rooney Mara, pronaren e ligës së futbollit amerikan NFL, janë tërbuar nga zhvillimi.

Mara, familja e të cilës zotëron skuadrën Pittsburgh Steelers, ka jetuar në qytezën ekskluzive Bedford prej 39 vitesh, ndërsa me bashkëshortin Chris Mara kanë rritur këtu katër fëmijët e tyre, përfshi dhe aktorët Kate, 39 vjeçe, e Rooney, 37.

Në një letër ankese për bashkinë Mara shkruante”: “Në dimër ne kemi këtu një pamje të mrekullueshme dhe mezi presim të vijmë, ndërsa tani do të duhet të shikojmë kullën e shëmtuar të valëve celulare dhe vendndodhja do të humbasë, nëse aprovohet”.

Në korrik 2021, grupi i komunikimeve Verizon paditi qytezën e Bedford, pas dy mohimeve për vendndodhjet e ndërtimit të kullës. Kompania thotë se duhet ngritur kulla për të mbushur hapësirat e mbulimit, sipas ligjit Federal të Komunikimeve.

Pas marrëveshjes për hotelin e Richard Gere padia është pezulluar.

Emra të tjerë të njohur që jetojnë në Bedford dhe rrethinat e tij rurale të luksit janë  George Soros, Ralph Lauren, Matt Damon, dhe çifti i famshëm Ryan Reynolds e Blake Lively.

Shumë prej tyre kanë kërkuar një konferencë për bllokimin e ndërtimit të kullës dhe ndërhyrjet e tjera për realizimin e sa, ndërsa vetë bashkëpunëtorja e Gere, Roxanne Spruance, e akuzon atë se po merret vesh nën tryezë me bashkiakët për të zgjidhur padinë e Verizon me leje për zgjerimin e hotelit.

Në zonë një vilë me gjashtë dhoma gjumi kushton të paktën 12 milionë dollarë dhe rezidentët nuk besojnë pretendimet e Gere se po jep tokën për “të ndihmuar autoritetet me rrjetin e komunikimeve”.

FOTO GALERI
1/8
Aktori amerikan Richard Gere ka mbështetur ndërtimin e një kulle celularësh në pronën e tij në qytezën e Bedford, pranë New York, duke tërbuar fqinjët e tij të famshëm

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA