Po zvarrit procesin gjyqësor me mungesën e tij, Gjykata e Apelit në Durrës gjobit avokatin e Faruk Ozer

20/12/2022 11:23
Faruk Fatih Ozer

Avokatin shqiptar i Faruk Ozer është gjobitur nga Gjykata e Apelit në Durrësit, pasi mungesa e tij ka shkaktuar shtyrjen për të disatën herë të gjyqit për bosin turk të kriptomonedhave Thodex.

Mungesa në sallën e gjyqit e avokatit Klodian Skënderaj ka shtyrë sërish gjyqin për shqyrtimin e vendimit të ekstradimit të themeluesit të platformës Thodex. Avokati mbrojtës i Ozer është gjobitur me 50 mijë lekë nga Apeli i Durrësit për zvarritje të procesit gjyqësor.

Në mungesë të tij, relatori i çështjes, gjyqtari Valbon Ccekrezi ka vendosur të shtyjë seancën për në një datë tjetër, të gjobisë avokatin për situatën e krijuar, si dhe të vendosë caktimin e një avokati kryesisht për mbrojtjen e shtetasit turk për t’i dhënë fund zvarritjes së procesit. Faruk Fatih Ozer ka ankimuar në Apelin e Durrësit vendimin e gjykatës së Elbasanit për ekstradimin e tij drejt Turqisë. Edhe seancën e kaluar, avokati Skënderaj nuk ishte i pranishëm, duke e mbështetur mungesën me një raport mjekësor.

Më 17 nëntor, gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan, pas shumë shtyrjesh të procesit, vendosi ekstradimin në Turqi të Ozerit. Ky vendim u ankimua pasi, sipas Ozer dhe mbrojtjes së tij, ekstradimi në Turqi rrezikon jetën e ish-bosit turk të kriptomonedhave Faruk Ozer.

Në fund të gushtit, Ozer u arrestua në Shqipëri për llogari të Turqisë ku akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se u largua nga vendi me afro 2 miliardë dollarë të përfituara përmes mashtrimit të mijëra përdoruesve të platformës së tij të kriptovalutës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA