20 objektet e para të bronzit nga koleksionet e muzeve gjermane janë kthyer në vendin e origjinës në Nigeri. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe ministrja e Kulturës Claudia Roth dorëzojnë këtë thesar artistik.
“Kjo është një ditë historike kur ne kthejmë atë që nuk ka qenë kurrë e jona,” tha Ministrja e Shtetit për Kulturën Claudia Roth në kuadër të vizitës së saj në Abuja, kryeqyteti i Nigerisë. Ajo shoqëron personalisht, me një delegacion nga Gjermania, kthimin në Nigeri të bronzeve të çmuara benineze nga pesë muzetë gjermanë.
Në një intervistë për DW, Roth shpjegoi, “Ky kthim përfaqëson njohjen e padrejtësisë së një të kaluare koloniale që përvetësoi pronën e vjedhur”. Roth shpreson se ky kthim do të mbyllë plagët e hapura, “sepse ne po kthejmë edhe një pjesë të identitetit kulturor që kemi vjedhur”.
Roth dhe Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock do të kthejnë njëzet nga thesaret e çmuara artistike të vendit të Afrikës Perëndimore në Abuja të martën (20.12.). Ato janë pjesë e një koleksioni prej rreth 1100 artikujsh të vjedhur nga pallati i ish-Mbretërisë së Beninit, i cili tani i përket Nigerisë, të përhapur në njëzet muze gjermane. Këto objekte në bronz, fildish dhe materiale të tjera të çmuara janë ndër veprat më të rëndësishme të artit në kontinentin afrikan. Shumica e tyre u vodhën nga kolonialistët britanikë rreth vitit 1897.
Shihni artin e të parëve me sytë tuaj
Dy personalitetet politike shoqërohen nga drejtorë të disa muzeve. Objektet e kthyera vijnë nga muzetë në Berlin, Hamburg, Këln, Dresden/Leipzig dhe Shtutgart. Muzetë në fjalë dhe menaxherët e tyre i kanë transferuar tashmë të drejtat pronësore të të gjitha objekteve beninase prej bronzi. Janë lidhur edhe marrëveshje kredie që thesare të caktuara artistike të mund të vazhdojnë të ekspozohen në Gjermani.
Klaudia Roth së bashku me delegacionin vizitoi edhe rrugicën e skulptorëve nigerianë të cilët derdhin vepra arti në bronz dhe tunxh. Njëri prej tyre është Ewaen Aigbe, një derdhës bronzi në brez të tretë. Aigbe e sheh si akt “të shkëlqyer” që objektet e bronzit janë kthyer në Nigeri, pasi më në fund mund t’i studiojë ato në detaje. Deri tani ai ka punuar vetëm me imazhe historike nga katalogë të vjetër, por së shpejti do të jetë në gjendje të studiojë origjinalet dhe të shohë me sytë e tij “çfarë kanë prodhuar të parët tanë”. Për këtë ai madje është lutur, thotë Aigbe.
Premtimet tani plotësohen
Godwin Obaseki, guvernatori i rajonit, shpreh lehtësimin e tij të madh në një intervistë për DW: “Dita e sotme na tregon se kthimi është realitet. Premtimet që janë bërë, tani po mbahen. Kjo ditë është shumë domethënëse, sepse më thotë se gjermanët me të vërtetë po bëjnë atë që kanë shpallur”.
Një kalimtar i ri është gjithashtu i lumtur që objektet e bronzit po kthehen në Nigeri. Ai falënderon “të gjithë ata që punuan shumë për të rikthyer objektet e bronzit”, tha ai për DW. Ai është e sigurt se rrugët do të jenë në festë sapo të kthehen thesaret artistike në vendin e origjinës.
Një hap drejt një të ardhmeje të përbashkët
Një muze modern do të ndërtohet në Nigeri veçanërisht për ruajtjen e bronzeve. Sipas Claudia Roth-it, rikthimi është gjithashtu “një parakusht që ne të flasim këtu dhe tani për artin modern, bashkëpunimin në muze dhe për të zhvilluar plane të përbashkëta për të ndihmuar në ndërtimin e një kampusi modern, për të inkurajuar punën arkeologjike – me pak fjalë: për të krijuar një të ardhme të përbashkët”.
Gjermania do ta mbështesë muzeun me ndihmë financiare, bashkëpunim dhe gërmime të përbashkëta arkeologjike. Roth shtoi: “Unë mendoj se do të bënim mirë të ndihmonim bronzët të gjejnë shtëpinë e tyre këtu”. Është fillimi i një marrëdhënieje të re” midis Gjermanisë dhe Nigerisë dhe midis Evropës dhe Afrikës”, tha Roth./ DW
Top Channel