Mbi 30 të plagosur në avionin e pasagjerëve gjatë turbulencës ekstreme, të papritur në fluturimin në SHBA (foto-video)

19/12/2022 18:43

Dhjetra pasagjerë janë plagosur dje nga përplasjet gjatë një turbulence ekstreme në avionin e linjave amerikane Hawaiian Airlines drejt Honolulu, ku pasagjerët ishin përplasur në tavan e sedilje gjatë një turbulence të papritur që rrezikoi fluturimin, thanë zyrtarët.

Një total prej 36 pasagjerësh kishin nevojë për trajtim mjekësor, 11 prej të cilëve ishin në gjendje serioze pas lëkundjeve të pakontrolluara të avionit, përplasjeve e dëmtimeve të dukshme në kabinën e pasagjerëve.

Pasagjerët pësuan goditje, prerje e plagë në kokë gjatë fluturimit të veshtirë.

Shumë prej tyre thanë se moti kishte ndryshuar papritur, teksa zyrtari mjekësor Jim Ireland tha se të paktën një pasagjer kishte humbur ndjenjat.

Tre punonjës fluturimi ishin dërguar në spital, teksa kishte 10 asistentë fluturimi në kabinën e mbushur me 270 pasagjerë.

Kreu i linjave ajrore Jon Snook tha se turbulenca ekstreme ishte një “anomali e izoluar”.

Ai shtonte se ishte i lumtur që nuk kishte vdekje ose njerëz në rrezik për jetën. Sinjali i rripit të sigurimit ishte i ndezur në kohën e incidentit por jo të gjithë pasagjerët e kishin lidhur atë.

Pasagjerja Kaylee Reyes, e cila fluturonte me nënën e saj tha se nuk kishte pasur mundësi të vendoste rripin e sigurimit pas nisjes së papritur të turbulencës.

“Nëna ime u ngrit lart dhe goditi tavanin,” tha Reyes për rrjetin Hawaii News Now.

Zyrtarët thanë se rasti mund të ketë qenë një “turbulencë në ajër të qetë” ose të gjendjes së qiellit para-stuhisë kur janë krijuar kushtet e rrymave të forta.

Pas turbullirës së rrezikshme pilotët kishin nisur zbritjen nga lartësia duke lajmëruar njerëzit në tokë për plagosjet që kishin në bord.

Avioni i madh i tipit Airbus A330-200, po pret të dhënat nga regjistruesit e fluturimit për të zbuluar shkaqet e ngjarjes së pazakontë.

FOTO GALERI
1/4
Pasagjeret e avionit pas uljes se detyruar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA