Altin Dumani hyri sot në godinën që ai e quan ‘shtëpia e ligjit’, si kryeprokuror i ri i SPAK.

Dumani i konsideroi themelet e kësaj godine të qëndrueshme tanimë për ekipin anti-korrupsion, që thotë se do të drejtojë secilin të bëjë hetime të pandikuara.

Ndaj mesazhi i parë i Dumanit ishte kurajo për 16 prokurorët, përfshi edhe ish-shefin e SPAK Arben Kraja, që në dorëzimin e stafetës i quajti tre vitet e ikura si intensive.

Inkurajoj dhe nxis secilin prej jush, që të gjithë së bashku duke punuar në grup si një skuadër e vetme të demonstrojmë se jemi të aftë të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij”- ishte mesazhi i parë i Dumanit.

Por a do mundet a do mundet Altin Dumani për tre vitet e ardhshme të hetojë të paprekshmit, qofshin këta zyrtarë të niveleve të larta. Ai garanton prerazi se ‘po’!

Pas këtyre 3 viteve, Prokuroria e Posaçme do të kalojë tashmë në një fazë tjetër dhe që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar”-tha Dumani.

Dosjet që në të vërtetë nuk kanë marrë drejtim, janë ato të sterilizimit në Ministrinë e Shëndetësisë, të ish-kompleksit Partizani, të inceneratorëve me zyrtarin më të lartë të qeverisë Arben Ahmetajn, ish-ministër financash dhe ish zv-kryeministër dhe denoncimet për ish-presidentin. Me një SPAK që nuk pati marrëdhënie të mira me drejtuesen e BKH , dhe hetuesit e quajtur si FBI shqiptare, Dumani njofton ndryshimin e kursit.

E nderuar znj. Hajnaj, ju garantoj se marrëdhëniet mes Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së do të karakterizohen nga bashkëpunimi cilësor dhe mirëkuptimi reciprok. Unë jam i vetëdijshëm se pa një BKH efiçente, suksesi është i pamundur”- shtoi Dumani.

Nuk ka një të dhënë përfundimtare se sa është numri i zyrtarëve të nivelit të lartë, politikanëve dhe ministrave e ish-ministrave të denoncuar gjatë këtyre 3 viteve, edhe nga njëri tjetri edhe shoqëria civile dhe institucionet shtetërore, ku peshë kryesore zënë denoncimet e KLSH mbas auditimeve të kryera ku janë gjetur dëme disa milionëshe.

Por ajo që dihet është se i preferuari i ndërkombëtarëve, kryeprokurori i ri Altin Dumani , duhet të përmbushë pritshmëritë e të gjithëve , dhe duhet të vërtetojë me prova se nuk po pritet ‘Godoja’, por se peshqit e mëdhenj nuk do i çajnë më rrjetat e drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA