Përdorimi i inteligjencës artificiale në teknologji sa vjen e avancohet.

Kompania me bazë në San Francisko, OpenAI, e ka prezantuar së fundi robotin më të ri, ChatGPT.

Ky robot, një aplikacion softuerik, është i dizajnuar për të imituar bisedat që zhvillohen mes njerëzve, varësisht prej kërkesave të tyre.

Udhëheqësi i kompanisë OpenAI, ka thënë se që në javën e parë të publikimit, mbi një milion përdorues kanë tentuar që të bisedojnë me këtë robot.

Në pronësi të kujt është OpenAI dhe pse është i përfshirë Elon Musk?

OpenAI është një kompani për kërkim dhe zhvillim, e cila është themeluar si organizatë joqeveritare më 2015 nga investitori Sam Altman dhe miliarderi Elon Musk.

Kompania, ndërkohë, ka siguruar fonde nga shumë pasanikë të tjerë, përfshirë Peter Thiel. Më 2019, ky grup ka krijuar një entitet profitabil për të tërhequr investimet e jashtme.

Musk, i cili vazhdon të jetë i përfshirë në kaosin që ka përfshirë platformën Twitter, tani në pronësinë e tij, është larguar nga bordi i kompanisë OpenAI më 2018, mirëpo krijimet që janë bërë aty i ka konsideruar “frikshëm të mira”.

Musk ka thënë më vonë se do të pauzojë qasjen e OpenAI në databazën e Twitter-it, pasi ka kuptuar se kompania është duke u përdorur për të “trajnuar” robotin.

Si funksionon OpenAI?

OpenAI ka thënë se modeli ChatGPT i robotit, i trajnuar për të përdorur teknikën e mësimit të makinës, mund të simulojë bashkëbisedimet, t’iu përgjigjet pyetjeve përcjellëse, t’i pranojë gabimet, të sfidojë qëndrimet jokorrekte dhe të refuzojë kërkesat e papërshtatshme.

Në fazat e para të zhvillimit, trajnerë të inteligjencës artificiale i kanë ofruar robotit disa modele bashkëbisedimi.

Në versionin final, që është prezantuar për testim të publikut, roboti tenton të kuptojë pyetjet e përdoruesve dhe të komunikojë me ta përmes përgjigjeve që ngjasojnë me tekstin e shkruar nga njeriu në format bisedor.

Për çfarë mund të përdoret?

Një robot, sikurse ChatGPT, mund të përdoret për aplikacionet e jetës reale sikurse marketingu digjital, për krijim të përmbajtjes online, për përgjigje të kërkesave të konsumatorëve, e madje edhe për t’iu ndihmuar përdoruesve për korrigjim të kodeve kompjuterike.

Roboti mund t’u përgjigjet llojeve të ndryshme të pyetjeve dhe atë duke imituar stile të ndryshme të të folurës së njeriut.

A është problematik?

Sikur edhe shumë inovacione tjera, edhe ChatGPT e ka anën tjetër të medaljes.

OpenAI e ka pranuar tendencën e pajisjes për t’u përgjigjur me raste “me tonin e duhur, por me formulime të palogjikshme”, dhe ka thënë se është duke punuar në përmirësim.

Teknologjia e lidhur me inteligjencë artificiale mund të imitojë paragjykimet shoqërore lidhur me racën, gjininë dhe kulturën.

Gjigantët teknologjisë, përfshirë Google dhe Amazon e kanë pranuar më parë se disa prej projekteve të tyre, ku ka qenë e përfshirë inteligjenca artificiale, nuk kanë qenë “të sakta në aspektin etik” dhe kanë pasur limitet e tyre.

Në dhjetëra kompani tjera, njerëzit është dashur të intervenojnë për të rregulluar kaosin e krijuar nga inteligjenca artificiale.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, kërkimet në sektorin e inteligjencës artificiale mbesin atraktive. Investimet në operacione dhe zhvillim të inteligjencës artificiale kanë arritur në gati 13 miliardë dollarë.

Vetëm në tetor të këtij viti buxhetit i janë shtuar edhe 6 miliardë dollarë, sipas të dhënave të kompanisë PitchBook./ REL, Reuters

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA