Po bëhen 300 ditë nga nisja e luftës në Ukrainë, ku ditët e fundit Rusia ka nisur një nga sulmet më të mëdha me raketa me dron, ofensivë që ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në rajone të ndryshme.
Andriy Shevchenko, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për paqe që nga fillimi i luftës, ishte së fundmi në Kiev, ku u takua me presidentin dhe pa nga afër terrorin që po kalojnë bashkëkombësit e tij.
Ish-lojtari i Milanit e Chelsea-t në interviste për Sky Sports deklaroi se ishte shumë afër vendit ku goditi një nga dronët rusë.
“Isha rreth dy kilometra larg sulmit. Një nga gjeneratorët e termocentralit u godit, siç e dimë të gjithë. Rusët po përpiqen të sulmojnë infrastrukturën kryesore. Shpërthimi ishte shumë i fortë,” tha fillimisht Shevchenko.
Pavarësisht kohëzgjatjes së luftës, Shevchenko nxjerr në pah karakterin e ukrainasve.
“Është një ndjenjë e pabesueshme kur shkon atje. Njerëzit vuajnë, por ata janë shumë të bashkuar. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, dimë të mbijetojmë, dimë se duhet të qëndrojmë së bashku. Mendoj se ka një forcë në Ukrainë, një mendje të pathyeshme. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Për ne, opsioni i fundit është të dorëzohemi. Ne kemi një objektiv shumë të qartë: ne po luftojmë për tokën tonë, për të ardhmen tonë dhe ky është një popull vërtet i bashkuar.”
Top Channel