Katër ide të reja të cilat synojnë jo vetëm tregun shqiptar, por edhe atë të huaj, u prezantuan në episodin e sotëm të “Startop”, projektit të Fondacionit mediatik “Dritan Hoxha”, mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Për të dhënë ekspertizën e tyre, në panel ishin sipërmarrësit Shkëlzen Marku e Marjus Bushi, zv. dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Martin Serreqi dhe Besard Kadia, zv. ministër i Ekonomisë dhe Financave.
Projekti i parë u prezantua nga Edisa Cirogu nga “Commercey”, që ka të bëjë me trajnimin, testimin dhe certifikimin e rekrutuesve në Tech Recruiters. Një kompani e orientuar nga teknologjia, kërkon të gjejë ata lloj specialistësh të cilët kur punojnë si rekrutues në fushën e teknologjisë, të gjejnë njerëzit e duhur për punët e duhura.
“Fokusi i këtij projekti është i fokusuar tek Recruiters. Porta e parë hyrëse në biznes është ai i rekrutuesit dhe sot në Shqipëri nuk ka një formim të dedikuar për këtë lloj profesionistësh. Këtë kemi dashur të sjellim me këtë projekt. Standardizimin e rolit të rekrutuesit, më specifikisht Tech. Sot sektori rekrutuesve nuk ka një certifikim. Nëse një biznes ka të përzgjedhur në stafin e vet rekrutuesve, nuk e kanë vërtetuar sesi ata mund të bëjnë punën e duhur. Sektori rekrutues në burimet njerëzore. Klasat e para të këtij projekti do të vijnë në janar”- shpjegoi menaxherja Cirogu.
Projekti i dytë u prezantua nga Albana Muçaj, ambasadore e kompanisë “Women Start up Competition” i cili zhvillohet këtë vit për herë të parë na Shqipëri. Misioni lidhet me ofrimin e mundësisë së ekspozimit të grave dhe vajzave para investitorëve të huaj.
“Është program i dedikuar vajzave dhe Grave. Këtë vit kemi arritur ta sjellim në Shqipëri. Parashikon përfshirjen e vajzave dhe grave ide inovative në startup. Pas kësaj ka një konkurs, ku përzgjidhen 3 fitues. Vendi i marrë merr pjesë në konkursin final europian. Është një program që është zhvilluar në disa vende të botës, edhe Shqipëria bën pjesë tashmë. Pra, gratë të motivohen në fushën e sipërmarrjes”- shpjegoi ambasadorja e kompanisë në Startop.
Praktika.al ishte projekti i tretë i prezantuar sot në Start-up, një urë lidhëse mes tregut të punës dhe ata që kanë nevojë të praktikohen dhe të jenë gati për të punuar.
Projekti u shërben kompanive në kërkim të punonjësve edhe profesionistëve të rinj, në kërkim të një karriere shpërblyese. Projekti u vlen kompanive që duan të ecin përpara drejt inovacionit.
“Ne u shërbejmë dy konsumatorëve, studentëve apo të rinjtë profesionistë dhe bizneset. Bizneset promovojnë kulturën tyre të punës para profesionistëve të rinj dhe ata mund të aplikojnë. Kjo rrit vlerën e shërbimeve të punësimit. Praktika.al është prej një viti online, janë mbi 2 mijë student dhe 274 kompani. Me daljen edhe të aplikacionit, kemi arritur të krijojmë një ‘match’ të mirë bizneseve dhe profesionistëve të rinj. Është situatë win-win”- tha Albina Bardhi.
Projekti fundit i prezantuar sot në Startop, ishte “Task me” që konsiston në gjendjen e personave, kryesisht studentëve, kryesisht në kompani që kanë nevoja afatshkurtra. Platforma është e dedikuar të studentët dhe bizneset.
“Task me u zhvillua si ide nga vështirësitë që ne si student kemi hasur për të gjetur një punë, sidomos part-time. Vendosëm të zhvillojmë një ankete me 600 studentë, ku pjesa më e madhe nuk punonin për shkak të mos-fleksibilitetit me oraret. Kemi pasur interesin e 600 studentëve për pjesëmarrje në këtë projekt. Komisioni do të mbahet vetëm nga bizneset, jo nga studentët”- treguan Prishila Gjoka dhe Anisa Saraçi.
Top Channel