Ekipet e shpëtimit nxorën nga rrënojat e një pallati trupin e një fëmije ndërsa kërkonin gjatë orëve të agimit për të mbijetuar pas goditjes nga një raketë ruse në qytetin Kryvyi Rih në Ukrainën qendrore.
Ukraina tha se 16 nga 76 raketat ruse të lëshura të premten kishin depërtuar në sistemin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Kjo është vala e fundit e sulmeve ruse në Ukrainë që kanë vënë në shënjestër infrastrukturën energjitike të atij vendi, pjesë e strategjisë së Kremlinit për të lënë në errësirë dhe të ftohtë popullin ukrainas gjatë dimrit.
Valentyn Reznichenko, guvernator i rajonit Dnipropetrovsk, ku ndodhet qyteti Kryvyi Rih, shkroi në rrjetin Telegram se, “ekipet nxorën trupin e një fëmije18 muajshe nga rrënojat e një shtëpie të shkatërruar nga një raketë ruse.” Katër persona u vranë nga raketa ruse dhe 13 u plagosën, katër prej tyre ishin fëmijë, thanë autoritetet.
Guvernatori Reznichenko tha se goditjet ruse vazhduan gjatë natës, duke dëmtuar rrjetin e energjisë elektrike dhe shtëpitë në qytetet Nikopol, Marhanets dhe Chervonohryhorivka, që shtrihen përtej lumit Dnieper, përkarshi centralit bërthamor Zaporizhzhia që është nën kontrollin e forcave ruse.
Mëngjesin e së shtunës, udhëheqja ushtarake ukrainase tha se forcat ruse kishin shtuar intensitetin e goditjeve me raketa. Kievi nuk tha se sa raketa ruse ishin shkatërruar nga mbrojtja ajrore.
Sulmet e së premtes, që vunë në shënjestër shumë pjesë të Ukrainës qendrore, lindore dhe jugore, përbëjnë një nga sulmet më të mëdha ndaj kryeqytetit Kiev që nga fillimi agresionit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Autoritetet thanë se Kievi u sulmua me rreth 40 raketa të premten dhe pothuajse të gjitha u asgjesuan nga mbrojtja ajrore.
Punonjësit e qytetit u përpoqën të rregullonin sistemet e dëmtuara të shpërndarjes së ujit dhe energjisë. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi të shtunën se dy të tretat e shtëpive ishin rilidhur me rrjetin elektrik dhe se të gjitha shtëpitë kishin furnizim me ujë. Sistemi i metrosë po ashtu rifilloi punën pasi një ditë më parë u përdor si vendstrehim.
Kreu i provincës verilindore të Kharkiv-it, Oleh Syniehubov tha të shtunën se energjia elektrike ishte rikthyer në të gjithë rajonin, duke përfshirë qytetin Kharkiv, metropolin e dytë më të madh të vendit./VOA
Top Channel