Policia shqiptare dhe ajo italiane kanë zhvilluar një operacion të përbashkët në të dy vendet, ku kanë goditur një grup personash që mashtronin qytetarë Italinë përmes Call Centerave.
Në Shqipëri janë arrestuar dy persona të cilëve u janë sekuestruar prona, ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe persona të tjerë. Aksioni u zhvillua në datat 13, 14 dhe 15 dhjetor nga policia e shtetit, policia italiane, BKH, SPAK dhe Eurojust.
Policia ka regjistruar në fillim të vitit 2021, një procedim penal për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, në kuadër të grupit të strukturuar Kriminal. Numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritet në qindra persona dhe në një vlerë të përafërt prej 15 milionë euro.
Ky operacion policor u zhvillua në Shqipëri dhe në Itali, ku u kontrolluan qendra thirrjesh, banesa dhe ambiente të ndryshme. Në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan: euro, lekë dhe 162 pajisje kompjuterike, servera, dokumente në gjuhën italiane, kontrata pune, libreza pune, fatura banke, vula të përdorura për aktivitetin e jashtëligjshëm.
Operacioni u zhvillua dhe në shtetin italian, në Cagliari, Padova dhe Piacenza, ku Karabinierët zbatuan një urdhër paraburgimi dhe dy vendime sekuestrimi për një vlerë totale mbi 3 milionë euro.
Top Channel