SPAK ka dërguar për gjykim çështjen e Altin Hajrit, pas hetimeve të kryera në lidhje me rrëmbimin e Jan Prengës.
Me anë të një njoftimi, SPAK bën me dije se Altin Hajri akuzohet për kryerjen e pesë veprave penale:
Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal;
“Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vazhdimësinë e hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal nr. 62, të vitit 2020, për të cilën është kërkuar dërgimi më parë për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale :
“Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal;
“Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamëz, Tiranë
Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.
Çfarë dihet për rrëmbimin e Jani Prengës?
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.
Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Kush është Dritan Rexhepi, Gentian Doçi dhe Altin Hajri?
Dritan Rexhepi listohet në një nga emrat më të kërkuar nga INTERPOL edhe pse ai vuan dënimin në burgun e Kuitos në Ekuador mbi të cilin rëndojnë dhjetëra akuza teksa kërkohet edhe nga Belgjika. Vlonjati kërkohet edhe në Shqipëri për një sërë ngjarjesh kriminale që nga droga e deri tek rrëmbimi.
Ai rezulton i dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal. Sapo të përfundojë dënimin në Ekuador, Rexhepit, do ekstradohet në Shqipëri, ku është dënuar me 25 vite burgim, për vrasje e dy policëve në Fushë-Krujë.
Gentian Doçi është pjesë e një prej bandave të Shkodrës, atë të “Dukagjinasve”. Altin Hajri është pronari i resortit “Golden” ku u mor peng Jan Prenga.
Top Channel