Dëme katastrofike në SHBA/ Gjashtë shtete pa energji elektrike, pasi stuhia vdekjeprurëse dhe tornadot goditën vendin

15/12/2022 16:30

Një stuhi e ashpër dimri ka goditur jugun e SHBA-së, duke shkatërruar komunitete ndërsa u raportua më herët për tre viktima.

Ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan në gjashtë shtete, duke përfshirë 10,000 në Luiziana dhe 70,000 në Wisconsin.

Në lindje, rreth 11 milionë njerëz në Florida dhe Gjeorgji janë ende duke u përballur me kërcënimin e tornadove.

Në Luiziana, zyrtarët kanë konfirmuar deri më tani tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur si pasojë e stuhisë. Në një incident, një grua 56-vjeçare në New Orleans u vra pasi një tornado shkatërroi shtëpinë e saj. Zyrtarët shëndetësorë të Luizianës konfirmuan se një grua 30-vjeçare dhe djali i saj 8-vjeçar u gjetën të vdekur në Caddo Parish.

Komunitetet në të gjithë shtetin raportuan dëme të rënda, duke përfshirë linjat e energjisë elektrike të rrëzuara dhe ndërtesat e shembur. Në Jefferson Parish, një periferi e New Orleans, u tha se shtëpitë dhe bizneset në zonë kishin pësuar dëme katastrofike.

Që nga ora 07:00 me kohën lokale të enjten, rreth 10,000 njerëz ishin ende pa energji elektrike në pjesë të ndryshme të shtetit, sipas poëeroutage.us.

Ndërprerje të energjisë u raportuan gjithashtu në Wisconsin, Michigan, Minesota, Pensilvani dhe Virxhinia Perëndimore. Vetëm në Wisconsin, 70,000 njerëz ishin pa energji të enjten në mëngjes.

Në Dakotën e Jugut, bora, e cila ishte gati 0.6 metra e lartë në disa zona, bëri që zyrtarët të mbyllnin një autostradë prej 320 miljesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA