Kina ndryshon politikën e raportimit të rasteve me koronavirus

14/12/2022 09:37

Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës, duke filluar nga 14 dhjetori, ka ndryshuar mënyrën e raportimit të rasteve me COVID-19, pas rënies së numrit të testimeve me metodën PCR, që kur Qeveria ka lehtësuar masat kundër pandemisë.

Në njoftimin e këtij Komisioni u tha se nuk do të publikohen shifra ditore të rasteve me COVID-19 në rastet kur të infektuarit nuk kanë simptoma, pasi “është e pamundur të dihet me saktësi numri i personave të infektuar asimptomatikë”, të cilët në përgjithësi përbëjnë shumicën dërmuese të infeksioneve të reja. Të vetmet numra që do të raportohen do të jenë rastet e konfirmuara, që zbulohen në qendrat publike të testimeve.

Kjo përbën sfidë për Kinën, shtet që po lehtëson masat e saj të rrepta të quajtur “zero-COVID”. Më testimi masiv me PCR nuk është i detyrueshëm dhe qytetarët me simptoma të lehta lejohet që të qëndrojnë në shtëpi derisa të shërohen dhe jo të shkojnë më në spitale. Këto ndryshime politikash, vlerësohet se do të vështirësojnë numrin e saktë të rasteve me koronavirus.

Pavarësisht se autoritetet kanë deklaruar se kanë siguruar miliona teste të shpejta antigjen për COVID-19 për farmacitë në Pekin, këto lloje testesh raportohet se vështirë gjenden në farmaci.

Pa numërimin e rasteve asimptomatike, Kina ka raportuar 2.249 raste të konfirmuara të mërkurën, duke bërë që numri total i rasteve të arrijë në 369.918 – që është më shumë se dyfishi i numrit të raportuar më 1 tetor. Ky shtet ka raportuar 5.235 vdekje, që është numër shumë më i vogël sesa 1.1 milion vdekje që kanë raportuar Shtetet e Bashkuara.

Shifrat e COVID-it të raportuara nga Qeveria kineze nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur dhe janë ngritur pyetje nëse Partia Komuniste ka tentuar të minimizojë numrin e rasteve dhe vdekjeve.

Kina po ashtu do të lehtësojë edhe disa masa kundër pandemisë, pas pothuajse tre vjetësh masa të ashpra.

Muajin e kaluar, Pekini dhe disa qytete të tjera, u përballën me protesta lidhur me masat e ashpra të Qeverisë. Protestuesit kërkuan që presidenti Xi Jinping dhe Partia Komuniste të japin dorëheqje. Këto protesta ishin më të mëdhatë që ky shtet ka parë në dekada. Autoritetet u përgjigjën duke arrestuar një numër të paspecifikuar të protestuesve./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA