Presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin për martesat e homoseksualëve përpara një turme prej mijëra njerëzish, një ceremoni që pasqyron pranimin në rritje të bashkimeve të të njëjtit seks.
“Ky ligj dhe dashuria që ai mbron japin një goditje kundër urrejtjes në të gjitha format e saj”, tha presidenti Biden të martën në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë. “Dhe kjo është arsyeja pse ky ligj ka rëndësi për çdo amerikan”.
Ligjvënës nga të dyja partitë ishin të pranishëm, ashtu si edhe Zonja e Parë Jill Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff. Këngëtarët Sam Smith dhe Cyndi Lauper interpretuan gjatë ceremonisë.
Ligji i ri synon të mbrojë martesat e homoseksualëve nëse Gjykata e Lartë e SHBA anulon ndonjëherë vendimin e saj të vitit 2015 që legalizoi martesat e të njëjtit seks në mbarë vendin. Ligji i ri mbron edhe martesat ndër-racore. Në vitin 1967, Gjykata e Lartë rrëzoi ligjet në 16 shtete amerikane që ndalonin martesat ndër-racore.
Nënshkrimi i ligjit shënon kulmin e një përpjekjeje disamujore dypartiake të nxitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë në qershor për të rrëzuar vendimin e vitit 1973 që e bëri të mundur abortin në të gjithë vendin.
Në një opinion të përbashkët në rastin që përmbysi abortin, gjyqtari Clarence Thomas sugjeroi rishikimin e vendimeve të tjera, duke përfshirë legalizimin e martesave të homoseksualëve, duke krijuar shqetësim se më shumë të drejta civile mund të rrezikoheshin nga shumica konservatore e gjykatës. zoti Thomas nuk përfshiu martesën ndër-racore me raste të tjera që ai tha se duhet të rishqyrtohen.
Ligjvënësit hartuan një kompromis që kishte për qëllim të qetësonte shqetësimet konservatore për lirinë fetare, si për shembull sigurinë që kishat mund të refuzonin ende të kryenin martesat e homoseksualëve.
Për më tepër, shteteve nuk do t’u kërkohet të lëshojnë liçenca martese për çiftet e të njëjtit seks. Por atyre do t’u kërkohet të njohin martesat e kryera diku tjetër në vend.
Shumica e republikanëve në Kongres ende votuan kundër legjislacionit. Megjithatë, një numër i mjaftueshëm e mbështetën atë për të anashkaluar një procedurë bllokimi në Senat dhe për të siguruar miratimin e tij.
Ceremonia e së martës shënon një tjetër kapitull në arritjet e presidentit Biden mbi të drejtat e homoseksualëve./VOA
Top Channel