Rruga Kardhiq-Delvinë me gjatësi totale 33 km është një gjurmë e re dhe fillon në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Kardhiq dhe përfundon tek Ura e Gajdarit afër fshatit Metoq në hyrje të Sarandës.
Kjo rrugë është ndërtuar me dy korsi dhe një tunel në Qafën e Skërficës. Rezulton se vlera totale e kontratave të lidhura, deri në vitin 2020 është 11,7 miliardë lekë me TVSH për 7 lotet, ose rreth 108 mln dollarë. Fillimisht, ishte parashikuar një kosto prej rreth 60 milionësh. Pra, në fund taksapaguesit shqiptar e paguan dyfish edhe këtë rrugë.
Edhe në këtë rrugë shohim fenomenin mjaft të dyshimtë të shtesave të kontratave, që ndodh në mbi 90 % të projekteve. Aty, fshihet korrupsioni. Në lotin e 4, kemi një shtesë kontrate në vitin 2021 me plot 465 mln lekë. Pra, kompanitë “Gjoka Konstruksion” dhe “Cobial” përfitojnë shtesë plot 4.5 milionë dollar që përbëjnë një kosto të shtuar që rëndon në xhepat e shqiptarëve.
Referuar të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, për periudhën 2019-2022 kompania “Gjoka Konstruksion” ka arkëtuar nga buxheti i shtetit rreth 2 miliardë lekë për rrugën Kardhiq – Delvinë. Thënë ndryshe, rreth 18 milionë dollar.
Për lotin e 6-të, zbatuese e punimeve ishte bashkimi i kompanive “Agbes” dhe “Arbëria” për një vlerë prej rreth 20 milionë dollar për 4.5 KM rrugë. Në Prill të vitit 2021 ARRSH ka shtuar plot 467 mln lekë, ose 3.9 mln dollar shtesë punimesh. Shtesa e punimeve është justifikuar me problem gjeologjike, por në fakt, këto janë manovra që ndodhin rëndom. Asnjë rrugë nuk mund të nisë pa studimin gjeologjik. Nëse studimi është i gabuar, duhen penalitete për studimin dhe nuk mund ti ngarkohen taksapaguesve.
Në të kundërt, zinxhiri i zyrtarëve të përfshirë, nga specialisti, tek anëtarët e komisionit e deri te titullari i Ministrisë së Infrastrukturës duhet të mbajnë përgjegjësi.
Top Channel