Katër ide të reja u prezantuan sot në “Startop”, projekt i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Paneli këtë të shtunë përbëhej nga sipërmarrësit Shkëlzen Marku e Marjus Bushi, zv. dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Martin Serreqi dhe Besard Kadia,  zv. ministër i  Ekonomisë dhe Financave.

Projekti i parë që u prezantua ishte “Triple City Incubator and Accelerator”, i cili ka si qëllim ndërtimin e një ekosistemi për sipërmarrjen, kreativitetin dhe inovacionin.

Përfaqësuesja e Universitetit Barleti, Bora Panajoti tha se projekti mbështet startape, biznese të vogla apo ekspertë të huaj dhe vendas duke ofruar infrastrukturë moderne,  shërbime profesionale dhe platformë virtuale.

Projekti i dytë ishte “Zyra Inovative Bulqizë”, ku të rinjtë kanë mundësinë që të shprehin idetë e tyre të reja dhe  çfarë duan nga qytet.

Ramiz Alia, koordinator projektesh në bashkinë Bulqizë u shpreh se me mbështetjen e ministrisë, u ndërmor projekti “Zyra inovative Bulqizë”, ku përfituan shumë të rinj të cilët mund të paraqisnin idetë e tyre.

Morena Çupi është një prej të rinjve që u bë pjesë dhe prezantoi projektin e një blogu që promovon qytetin.

Projekti i tretë që u prezantua në studio përmban emrin “Art dhe zeje në kujtesë”, të cilat janë produkte artizanale që prodhohen nga kromi i Bulqizës.

Suajb Prethi dhe Geralda Gjikola theksuan se tradicionalja nuk humbet nga moda dhe se do të jetë në progres.

“Kromi e identifikon qytetin e Bulqizës dje ne duhet t’i japim një ngjyrim tjetër, duke marrë parasysh që punimi është i vështirë si fillim duhet që të pastrohet, i jepet forma dhe kthehet në formë sfere”, thanë ata.

Ata erdhën me një dhuratë në studio për emisionin, një punim artizanal në copë me logon e Top Channel.

Projekti i katërt që u prezantua ishte platforma “Albania Tech”, i cili ka për qëllim të bëjë bashkë sipërmarrësit nga i gjithë ekosistemi shqiptar i sipërmarrjes.

I ftuar në studio Gerti Boshnjaku tha se të rinjtë që duan të marrin informacione për startup-et mund të futen në faqe dhe të marrin njohuritë e nevojshme.

“Ne jemi duke u përmirësuar, deri tani janë 170 startape që janë në databazë, ekosistemi ka marrë formë, e gjen të gjithë informacionin këtu, sepse platforma ka një kalendar, çdokush  që ka dëshirë të marrë informacion, do të ketë mundësi ta marrë atë. Arritje është pjesa e integrimit me ‘diell room’-in, synimi është të shtojmë ndërveprimin, kemi nisur të bashkëpunojmë si platformë me aktorë të ndryshëm dhe të organizojmë evente të përbashkëta”, tha Boshnjaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA