Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është shprehur se dhunuesi i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Ai ka përgënjeshtruar Berishën, i cili e cilësoi autorin “agjent të policisë kriminale”.
Ish-kryeministri u shpreh se Gert Shehu është vërtet kontingjent në rrethet e trafikantëve, por zyra e kryeministrit nxitoi “të shpërndante me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të.
Sipas tij, kjo dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur.
Rrumbullaku: Nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e strukturave të shtetit nuk është shërbyer si i infiltruar, sqarojmë se dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor është vënë në dispozicon nga familjarët për mediat, ndërkohë sigurojmë deputetin Berisha që policia e shtetit është angazhuar për zbardhjen sa më të plotë të rrethanave.
31-vjeçari Gert Shehu goditi me grusht Berishën këtë të martë, gjatë protestës së organizuar nga opozita. Pas këtij akti të rëndë, ai është dhunuar nga bodygradët e Berishës dhe simpatizantë të tjerë që ishin të pranishëm.
Menjëherë pas ngjarjes, në media qarkulloi një dokument ku përcaktohej diagnoza klinike e tij, e cila ishte vënë në dispozicion nga familjarët, ku tregohej se ai vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh.
Policia ka sqaruar se autori ka precedentë të mëparshëm kriminalë, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.
DEKLARATA E PLOTË
Për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, të angazhuar për sigurinë dhe mbarëvajtjen e Samitit BE – Ballkani Perëndimor, këto ishin orë të gjata pune në krye të detyrës, por edhe një akt krenarie, pasi një event i rëndësishëm, siç është ky samit, u përmbyll me sukses.
Falë masave të sigurisë së lartë, punimet e Samitit u zhvilluan me sukses të plotë. Gjej rastin të përcjell 2 mesazhe falënderimi, së pari për të gjithë punonjësit e Policisë, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, si dhe një falënderim të posaçëm për qytetarët, që treguan durim, pasi shumë akse rrugore që ishin brenda perimetrit të sigurisë, na u desh t’i mbanim të bllokuara për shumë orë.
Gjithashtu, Policia e Shtetit mori masa për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë tubimit që u zhvillua sot në mesditë, të lajmëruar nga opozita.
Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin.
Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj.
Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu ky shtetas nuk është përdorur asnjëherë nga shërbimet e Policisë së Shtetit si i infiltruar apo si burim informacioni.
Sqarojmë se dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor të shtetasit Gert Shehu, është vënë në dispozicion të medias nga vetë familjarët e të riut.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje dhe përgënjeshtron këto deklarata, të cilat nuk ndihmojnë në zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Ndërkohë, sigurojmë deputetin Berisha, se Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë, është e angazhuar maksimalisht, në zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të plotë ,të të gjitha rrethanave të ngjarjes.
Faleminderit.
Top Channel