Me një deklaratë të shkurtër zyra e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis njofton se për shkak të kushteve atmosferike, fluturimi me helikopter nuk është i mundur dhe vizita e planifikuar e kreut të qeverisë greke nesër në Himarë, Livadh dhe Dervican është shtyrë dhe do të bëhet në një datë të mëvonshme.

Disa media vendase kanë komentuar se shtyrja e vizitës është befasuese, pasi një kontroll i shpejtë i motit në zonë tregon se kushtet atmosferike  nuk janë penguese për një fluturim me helikopter.

Analistë shprehen se ndoshta shtyrja e vizitës ka të bëjë me një intervistë që  homologu I tij shqiptar dha për portalin Euractiv me deklarata jo të këndshme për Athinën.

Sipas Kryeministrit Rama,që do të takohet me kryeministri grek Mitsotakis në kudarin e samitit BE- Ballkani Perëndimor ,  Greqia “mashtroi” për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Duke u shprehur se  procesi i integrimit është një proces i bazuar në njerëz dhe vlera dhe se nuk mund të mashtrosh me arritjet e tua, Rama ka theksuar se Shqipëria  I ka kryer të gjitha detyrat ndaj BE ,në kundërshtim siç ka thënë ai me disa vende  si Greqia fqinje për shembull, që mashtronte shumë. Mori para nga Europa, kaloi një periudhë luksi dhe më pas përfundoi shumë keq”, thekson kryeministri shqiptar.

Një çështje tjetër që mund të lidhet me shtyrjen e vizitës, thuhet në shtypin grek janë reagimet në mediat shqiptare nga politikanë dhe gazetarë, të cilët ngritën kundërshtime për vizitën e Kyriakos Mitsotakis në rajonet me pakicë kombëtare greke dhe për krijimin e të ashtuquajturit  Unionit  të Komunave Greke në Shqipëri sipas modelit të Unionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Megjithatë, shtyrja e vizitës së  Mitsotakis në jugun e Shqipërisë nuk parashikon anulimin e  takimit Rama-Mitsotakis dhe as perspektivën e bisedimeve mes tyre për çështjen e përcaktimit të ZEE-së mes dy vendeve në Gjykatën e Hagës.

Kryeministri grek shoqërohet nga ministri i Jashtëm, Nikos Dendias dhe zv/ministri i Jashtëm përgjegjës për Diplomacinë Ekonomike dhe Marrëdhëniet me Jashtë, Kostas Fragogiannis.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA