Ukraina dhe aleatët e saj thonë se sulmi i Rusisë në shkurt ishte një krim agresioni, i përcaktuar nga statuti i Kombeve të Bashkuara si përdorim i paligjshëm i forcës kundër një shteti tjetër.
Bashkimi Evropian tha të mërkurën se Moska duhet të mbajë përgjegjësi.
Gjykata Ndërkombëtare Penale tashmë po heton krimet e dyshuara ruse të luftës, përfshirë ndalimin arbitrar dhe vrasjen e civilëve, torturën, përdhunimin dhe sulmet ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës. Por Rusia nuk e njeh gjykatën, thotë për Zërin e Amerikës avokati Frank Ledwidge.
“Gjykata Ndërkombëtare Penale përballet me një sërë problemesh juridiksioni, veçanërisht në lidhje me krimin e agresionit.”
Hapi i parë për ngritjen e një gjykate speciale do të ishte paraqitja e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Rusia do t’i vërë veton dhe ndoshta edhe Kina dhe pastaj do të kalojë për votim në Asamblenë e Përgjithshme. Në votim ndoshta mund të marrin shumicën. Kështu që do të krijohet një gjykatë e posaçme me mbështetjen e OKB-së”, thotë zoti Ledwidge.
Mbledhja e provave do të ishte komplekse dhe kërkon kohë.
“Ata duhet të gjejnë prova që lidhin Putinin me forcat e tij usharake, çka do të ishte shumë e lehtë. Për vartësit e Putinit të përfshirë në krimin e agresionit, do të duhet gjithashtu të sigurohen prova sekrete, dhe rrjedhimisht marrëveshje që provat të paraqiten në gjykatë, siç ndodhi në rastin e ish-Jugosllavisë”, thotë Frank Ledwidge, avokat dhe hetues i krimeve të luftës
Rusia këmbëngul se çdo gjykate për të hetuar ndërhyrjen e saj në Ukrainë do t’i mungonte legjitimiteti.
Zoti Ledwidge ndihmoi në mbledhjen e provave në ish-Jugosllavi për ndjekjen penale për krime kundër njerëzimit të ish-presidentit Slobodan Millosheviç në vitin 2001.
“Sigurisht, diktatori rus do të reagojë me përqeshje. Kështu verpoi edhe Millosheviçi. Buzëqeshjet u fshinë shpejt nga fytyra e Millosheviçit dhe bandës së tij dy vjet më vonë kur ra qeveria e tij dhe ai përfundoi në Hagë. A do të ndodhë e njëjta gjë me Putinin? Le të shohim”.
Viti 1945 ishte hera e fundit që u krijua një gjykatë për të hetuar krimin e agresionit, gjatë gjyqeve të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore. Përkrahësit e krijimit të gjykatës së posaçme thonë se është jetike që Rusia të mbahet përgjegjëse./ Zëri i Amerikës
Top Channel