Pas festave të nëntorit në Tiranë për herë të parë një president gjerman zbarkoi në tokë shqiptare.
Pas ceremonisë shtetërore që Bajram Begaj kishte rezervuar për homologun e tij, Steinmeier zbuloi dhuratën e Gjermanisë për fundvit. Mbështetja në rrugëtimin drejt familjes evropiane.
Steinmeier: Ju premtoj zoti President se ne do vijojmë t’ju mbështesim në kontekstin e reformave në procesin e anëtarësimit. Besoj se qartësisht në Shqipëri, por ne edhe ne mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor është perceptuar qartësisht se ne e shfrytëzojmë procesin e Berlinit për të përshpejtuar rrugën e integrimit europian.
Gjermania e cila ia doli të rizgjojë procesin e Berlinit, e sheh këtë nismë si të vetmen që mund të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Top Channel e pyeti Presidentin Begaj nëse do i kërkonte qeverisë shqiptare të ndryshojë qasje ndaj Ballkanit te Hapur.
Begaj: Nuk është se mund t’i jap ndonjë këshillë qeverisë për Ballkanin e Hapur apo procesin e Berlinit. Procesi i Berlinit nga ana e qeverise është marrë seriozisht, dhe ka pranuar që vitin tjetër të mbahet në Tiranë, kjo tregon që qeveria shqiptare është e angazhuar dhe punon për gjetjen e rrugëve dhe marrëveshjeve të reja në këtë kohë.
Porosia gjermane për integrimit u përcoll edhe në Parlament.
Steinmeier: Ju lutem, vazhdoni të punoni më tej në sprapsjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vijoni me reformën në drejtësi punoni para së gjithash përtej llogoreve ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Punoni së bashku! Destinacion i përbashkët për anëtarësim në BE ia vlen në këtë përpjekje dhe sikundër deri tani, ju do të keni mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë.
Jo vetëm me parlamentaret, agjenda e Presidentit gjerman ne Tiranë përfshiu edhe takimin me kryebashkiakun e Tiranës, bashkë me të cilin vendosi kurora me lule tek varreza e dëshmorëve.
Top Channel