Viktima Hamide Magashi dhe autori Sokol Halili

Policia e Kosovës njofton se ende është në kërkim të Sokol Halilit, i dyshuar për vrasjen e 35-vjeçares Hamide Magashi, para repartit të maternitetit një ditë më parë.

“Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur”, njofton policia.

Viktima kishte edhe urdhër mbrojtje nga i dyshuari, ish-bashkëshort i saj.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, konfirmon Gjykata Themelore e Ferizajt.

Sokol Halili është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me gjobë më 23 shtator.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.”

Ai ka paraqitur kërkesë për rrëzimin e akuzës dhe kundërshtim të provave, por Gjykata Themelore e ka refuzuar kërkesën.

“Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.”

Kujtojmë se viktima Hamide Magashi u vra me armë nga Sokol Halili para maternitetit në Prishtinë dhe nuk mundi dot t’i shpëtonte plagëve. Ata ishin martuar këtë vit, po së fundmi ishin ndarë dhe kishin probleme me njëri-tjetrin.

Motra e viktimës ka treguar jashtë kamerave se për gjashtë muaj, autori e ka mbajtur mbyllur viktimën. Kjo e fundit ishte në pritje të fëmijës së tyre të parë.

Mësohet se autoritet kanë qenë të njoftuar për rastin e abuzimit ndaj viktimës. Ndërkohë autoritetet janë duke hetuar rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Kjo është vrasja e dytë e grave në një javë në Kosovë. Më 25 nëntor një burrë vrau gruan e tij në Prishtinë. Të dyja vrasjet ndodhën ndërsa në Kosovë po mbahet një fushatë 16 ditore kundër dhunës ndaj gruas me moton “As edhe një më shumë”. Policia e Kosovës tha se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar 2273 raste të dhunës në familje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA