Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, pas takimit të zhvilluar me kryedemokratin Sali Berisha, ka folur për mediat ku ka konfirmuar se protesta do të zhvillohet para kryeministrisë.
Meta u shpreh se kjo protestë nuk cënon absolutisht perimetrin e sigurisë pasi qytetarët do të protestojnë në mënyrë paqësore duke kërkuar që Shqipëria të jetë si Europa.
“Jemi për Shqipërinë Evropiane jo për regjim policor. Me datën gjashtë do të protestojmë përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe minimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Sigurinë e Evropës e cënon vetëm mafia që përdor shtetin për të kthyer Shqipërinë në një bazë logjistike të mafies ndërkombëtare për të gjitha llojet e trafiqeve me në bazë kokainën. Nuk ka asnjë problem të sigurisë nga qyetetrët që duan një Shqipëri evropiane.”- u shpreh Meta.
Protesta është parashikuar të mbahet pikërisht në ditën kur liderët e BE-së pritet të zbarkojnë në Tiranë, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
E ndërsa policia ka refuzuar kërkesën e demokratëve për vendin e tubimit duke e konsideruar atë si një rrezik për sigurinë kombëtare, Sali Berisha është shprehur i vendosur në mbajtjen e saj, ditën e martë, 6 dhjetor, ora 12:00.
Sakaq me qëllim mbarëvajtjen e Samitit, qeveria njoftoi sot se 6 dhjetori do të jetë ditë pushimi në Tiranë, për administratën e shkollat.
Top Channel