Inside Story/ U zhduk mes shkëmbinjve për minuta të tëra, si humbën kontaktet familjarët me Pashkon

29/11/2022 22:04

Gramoz Pashko kishte mbijetuar në ujë për minuta të tëra. Ishte një mrekulli që ai u gjet i gjallë, edhe pse kishte pak shpresa që t’ia dilte.

Ndihma e parë që iu dha nga njerëzit e tij e mbajti në jetë. Miqtë njoftuan të birin Rubenin që ndodhej në Himarë dhe u përgatit transporti drejt Tiranës.

“Gjetëm një doktor, atë të Dhërmiut, e morëm dhe kur arritëm në vend, Gramozi nuk ishte mirë, kishte ndenjur shumë në ujë. Momenti i fundit sa ka ardhur helikopteri ishte Gramozi i shtrirë, Rubeni që i mbante kokën dhe unë që mbaja çadrën se ishte diell dhe Rubenin që të mos batohej”, u shpreh miku i Rubenti, Redi Mazi.

“Për mua ka qenë fiks si një film horror, kam akoma dhe sot një breng që nuk isha pranë Rubenit në atë moment, nuk isha se kishim shoqëri të ndryshme”, u shpreh Bers Hado, i afërm i Ruben Pashkos.

Sipas kronologjisë së dosjes hetimore rezulton se rreth orës 13:40 është njoftuar rajoni i Policisë së Himarës se shtetasi Gramoz Pashko ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe familjarët e tij kërkonin ndihmë urgjente mjekësore. Pas njoftimit të bërë aty kanë shkuar mjeku Jani Gjoka dhe shefi i rajonit të Himarës. Ndërkohë që familjarët janë munduar t’i bëjnë frymëmarrje artificiale e masazhe të zemrës, ai ndodhej në gjendje kome të thellë dhe kishte frymëmarrje të çrregullt.

Trupi i Pashkos ishte midis shkëmbinjsh, në buzë të detit pa ndjenja, i rrethuar nga familjarët, miq dhe shokë që ndodheshin me të. Kur u afrova, ai nxirrte shkumë nga goja dhe nga hunda, si dhe kishte rrahje të shpejta të zemrës. Në pjesën midis dy syve kishte një plagë, një të çarë, e cila me sa duket i kishte shkaktuar traumë cerebrale. Së bashku me mjekun e Dhërmiut, i cili kishte mbërritur para nesh, i dhamë ndihmën e nevojshme. Me personat që ndodheshin aty e vendosëm në barelë dhe me litar, me vështirësi të madhe e kemi nxjerrë nga shkëmbinjtë. Na u desh rreth 20 minuta përpjekje, pasi terreni ishte shumë i vështirë dhe gjithë shkëmbinj.

Pa humbur kohë mbërrin helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë në vendngjarje. Nën shoqërimin e mjekut të ambulancës Dhërmi, Kozma Çipa dhe të bashkëshortes, helikopteri me pacientin Gramoz Pashko, niset për në QSUT. Rreth orës 16:25 pacienti është çuar në reanimacionin e Kardiokirurgjisë së spitalit. Sipas kartelës së pacientit që Inside Story zotëron, nga mjekët aty është përjashtuar fillimisht mundësia e ndonjë infarkti. Më pas është realizuar skaneri i kokës, prej të cilit u përjashtua çdo dëmtim.

Nga mjekët u konkludua se mushkëritë e pacientit ishin të mbushura me ujë. Pasi parametrat e tjerë u stabilizuan mjekët në bashkëpunim me familjarët vendosën që të dërgohej për kurim jashtë vendit.

Konkretisht do të trajtohej në spitalin e Barit në Itali. Transporti i tij duhet të bëhej sa më shpejtë. Aty të pranishëm kanë qenë kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dhe ai sugjeroi që transporti të bëhej me helikopterin qeveritar Bell 222.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA