Si fillim le të sjellim në vëmendje se kush ishte Gramoz Pashko dhe pse ishte një figurë kaq e dashur dhe e vlerësuar nga të gjithë?

Çfarë e bëri atë një politikan që gëzonte konsensus të gjerë në Shqipërinë e polarizuar të viteve të para të tranzicionit. “Gramozi ishte njeri i gjallë, një intelektual i mirëfilltë, profesionist i mirë, njeri pozitiv” u shpreh inxhinieri, Arben Meçe.

Ai lindi në Ersekë të Kolonjës në 1955. Ishte i biri i Josif Pashkos, që njihet si një nga komunistët më të spikatur të kohës. Babi i tij kishte mbajtur disa poste të larta drejtuese në qeverinë e atëhershme të komunizmit. Por kjo nuk e ndaloi Gramoz Pashkon që të ishte një njeri me ide politike liberale dhe hartuesi i parë i programit të Partisë Demokratike.

“Në krijimin e PD u njohëm më ngushtë me Gramozin, u bëmë më miq dhe i përkisnin asaj rryme që sapo u krijua në atë kohë dhe ishte rryma liberal demokrate. Mund të them që Gramoz Pashko ishte formuluesi i kësaj ide të liberal demokracisë së shqiptarëve. Mund të them që ishte dhe lideri shpirtëror i këtij grupi” u shpreh Neritan Ceka, mik i familjes Pashko.

Pashko kishte mbaruar studimet e larta për ekonomi në 1977, ndërsa më vonë do të mbaronte edhe doktoraturën. Ai do të afirmohej si një prej profesorëve më në zë të ekonomisë.

“Gramozi ishte i gjithi i veçantë, por të bënte për vete me energjinë dhe lirinë që kishte brenda vetes. Me kuriozitetin që kishte për çdo gjë dhe energjinë për ta vënë në jetë për ta zhbiruar vetë çdo gjë. Gramozi ka qenë goxha i zhvilluar si intelekt në atë kohë, duhet të kemi parasysh se në atë kohë ishin djegur librat dhe Betoveni ishte raksionar kështu që nuk ishte aq kollaj. Raporti me botën e jashtme ishte zero. Por Gramozi e kishte vokacion e kishte të vetën dëshirën për të mësuar për të ditur dhe dinte shumë” u shpreh mjekja që asistoi Pashkon.

Në qeverinë e stabilitetit të krijuar pas rënies së komunizmit ai mbajti postin e zëvendës-kryeministrit dhe të ministrit të ekonomisë. Nën drejtimin e tij, nisin të zbatohen politikat e para të liberalizmit ekonomik.

“Mbaj mend momente shumë interesante kur po ktheheshim nga Pogradeci për në Elbasan. Ishte periudha kur vendi kishte nevojë për ndihma ushqimore dhe Pashko ndiqte përgjithësisht ndihmën e huaj dhe kjo ndihmë vinte nëpërmjet qafë thanës dhe ai ishte i entuziazmuar që po vinin ndihma se duhej të ushqehej qytetari’ u shpreh Arben Meçe, inxhinier.

Pashko u përball me reformat e para që duhet të ndërmerreshin për të kaluar ekonominë nga ajo e centralizuar në ekonomi tregu. Ishte një periudhë kur njohuritë për sistemin e tregut të lirë ishin minimale ndër shtresat e shoqërisë.

“Ishte vizionar por para kohës së tij, ishte edukuar me një ekonomi politike të librave kryesisht të asaj që po eksperimentohej në Europë, që krijoj dhe një lloj pështjellimi por që koha i dha të drejtë. Po të ishte respektuar prona, tu jepej mundësi investitorëve të mos shkonin drejt të panjohurës, që i hapi rrugë korrupsionit, Pashko në këtë drejtim ishte i parakohshëm për politikën tonë. Idetë e Pashkos mund të themi që ishin dita e sotme, nëse do të kishim një grup si ai i Pashkos, Imamit, Prec Zogaj, Perikli Tetës etj ku secili përbënte një mozaik të tërë brenda atij mozaiku do të kishim sot një parti tjetër. Por nga një herë gjërat në politikë ndodhin përpara historisë” u shpreh Neritan Ceka, mik i familjes Pashko.

Tërheqja e Partisë Demokratike nga qeveria e stabilitetit shkaktoi edhe përplasjet e para mes Pashkos dhe Sali Berishës. Pashko ishte një ndër themeluesit kryesorë dhe më të përgatitur të Partisë Demokratike. Por ambicia e tij për t’u zgjedhur në krye të partisë për të çuar përpara idetë e tij, do ta çonte në një përballje konfliktuale me Sali Berishën. Në 13 gusht të 1992 kur PD kishte fituar zgjedhjet ai bashkë me eksponentë të tjerë u përjashtua nga kjo parti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA