G7 pranon të kordinojë hetimet për krimet e luftës

29/11/2022 19:29

Grupi i Shtatë demokracive të pasura (G7) po planifikon të krijojë një rrjet për të kordinuar hetimet për krimet e luftës në Ukrainë.

Kievi ka bërë presion që krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë të ndiqen penalisht, kjo gjë u theksua nga fjalimi i Zonjës së Parë përpara deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar ditën e sotme.

Pas një takimi të ministrave të drejtësisë të G7 në Berlin, një deklaratën e përbashkët thuhej se do të kishte një pikë kontakti qendrore kombëtare në çdo shtet për ndjekjen penale të krimeve ndërkombëtare.

“Shqyrtimi gjyqësor i mizorive të kryera në Ukrainë do të zgjasë vite, ndoshta edhe dekada. Por ne do të jemi të përgatitur mirë, dhe do të këmbëngulim për aq kohë sa të duhet”, deklaroi Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann.

Ai shtoi se rrjeti do të thotë se provat mund të ndahen midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare.

“Viktimat e sulmit seksual duhet të regjistrohen në atë mënyrë që të jetë e pranueshme në gjykatë, kështu që ata do të duhet të japin deklaratën e tyre vetëm një herë”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA