Banorët e Berxullit kanë protestuar sërish duke akuzuar qeverinë se ka zhvendosur projektin e koncesionit Thumanë-Kashar për të favorizuar bisnesmenë të lidhur me politikën, pasi i mëparshmi nuk prekte shtëpi, por vetëm toka të blera prej tyre .
Me projektin aktual firma e ndërtimit po kryen punime pa leje ndërtimi.
“Të na japë përgjigje urgjent përse u devijua projekti. Kemi përgjigje se Gener dy nuk ka apliku për leje ndërtimi. Po si po punon ajo? Kanë mbetur vetëm punimet këtu në Bërxullë se e kemi ndërpre që ditën e parë”, tha një prej qytetarëve.
“Kjo është vjedhje që po na bën qeveria, vjedhje që po na bën firma e ndërtimit”, tha një tjetër qytetar.
“Jemi çliru nga gjermanët, por po sundohemi nga shqiptarët nga tradhtarët”, tha protestuesi.
Edhe pse kanë 60 ditë që protestojnë, asnjë deputet i majtë apo i djathtë nuk është afruar për të mbështetur banorët e Bërxullit ndaj ata deklarojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore.
“I bëjmë thirrje bashkëfshatarëve të mos marrim pjesë në zgjedhje”
“Po ruajmë veten të mos kalojmë në ekstrem.”
Ndonëse janë braktisur nga pushteti vendor dhe ai qendror, protesta e tyre ka ngjallur interes tek Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
“Kanë ardhur para dy ditësh nga KSHSH dhe kanë marrë informacionin e nevojshëm”, tha një prej qytetarëve.
Top Channel