Vetëm para pak ditësh e rihapi në Twitter llogarinë e tij të bllokuar nga drejtuesit e mëparshëm të platformës sociale, lëvizje kjo që bëri të mendohej se Elon Musk është një mbështetës i Donald Trumpit, edhe pse vetë manjati e justifikoi me rezultatin e një sondazhi online në favor të rikthimit të ish presidentit amerikan.
Por manjati befasoi me deklaratën e tij të fundit se në fakt, për presidencialet e 2024-tës, mbështetja e tij do të shkojë për rivalin e fortë të Trumpit në primaret amerikane, guvernatorin e Floridës Ron de Santis, nëse ky i fundit vendos të shpallë kandidaturën për president.
“Preferenca ime për presidencën e vitit 2024 lidhet me dikë të ndjeshëm dhe të qendrës. Pata shpresuar se ky do të ishte rasti i administratës Biden, por deri tani kam mbetur shumë i zhgënjyer.”
Deklarata e Muskut mund të përbëjë një shtysë për DeSantis në atë që republikanët presin të jetë një betejë e ashpër mes tij dhe Trumpit për nominimin presidencial, një përplasje kjo që shumë parashikojnë se do të jetë ne kufijtë e të pamërshirshmes.
Guvernatori i Floridës pati një fitore dërrmuese në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa ish shefi i Shtëpisë së Bardhë u kritikua për dështimin e republikanëve në arritjen e “valës së shumëpremtuar të kuqe”, pasi mjaft kandidatë kryesorë të miratuar prejt tij, humbën.
Musk u shpreh gjithashtu se ishte gjë e mirë që Trumpi vetë nuk postoi asgjë në Tëitter pas rikthimit të llogarisë së tij.
“Gjëja e rëndësishme është që Tëitter të korrigjojë një gabim të rëndë në ndalimin e llogarisë së tij, sepse bllokimi i një presidenti në detyrë minoi besimin e publikut tek kjo platforme në gjysmën e Amerikës”, ishte komenti i tij.
Top Channel