Në Gjirokastër u mbajt sot dëgjesa e tretë publike me grupet e interesit që po i paraprin procesit të shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
Në habitatin e Vjosës, shkencëtarët kanë identifikuar rreth 1100 specie shpendësh dhe kafshësh të rrallë, përfshi këtu edhe 13 specie kafshësh e 2 bimësh të kërcënuara globalisht. Projekti synon të përfshijë brenda parkut edhe tri degë të saj, Bënçën, Drinon dhe Shushicën.
Për Shushicën dhe Bënçën ambjentalistët janë në procese gjyqësore për të pezulluar ndërtimin e digave të disa hidrocentraleve të vegjël. Në të gjithë pellgun ujëmbledhës të Vjosës, janë planifikuar 45 hidrocentrale, 8 në shtratin e Vjosës dhe 37 në degët e saj.
Specialistët po konsiderojnë si kritere për të përcaktuar kufijtë e parkut të ri kombëtar vetë shtratin e lumit, shtratin e përmbytjes dhe territorin e përmbytjeve historike të Vjosës që ndodh një herë në 30 vjet. Besjana Guri përfaqësuese e ‘Eco Albania’ tha se projekti “park kombëtar” ka patur sfidat e tij dhe do të duhet të zgjidhë çështjen e qëndrueshmërisë së mbrojtjes edhe në të ardhmen duke diktuar kufizime që konservojnë natyrën e egër të lumit.
Brenda këtij viti pritet që ekspertët e Ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit, të kompanisë Patagonia dhe EcoAlbania të prezantojnë draftin final për statusin e parkut ndërsa do të ketë një fushatë të gjerë për të informuar komunitetet që jetojnë përgjatë basenit të Vjosës se çfarë do të presupozojë mbrojtja.
Shpallja e Vjosës Park Kombëtar ka qenë pjesë e një lobimi të madh edhe në nivel ndërkombëtar fushatë që ka përfshirë edhe organizata të tilla si River Watch.
Me marrjen e statusit të ri besohet se do t’i hapet rrugë edhe diskutimeve mbi shkeljen e konventës ndërkombëtare për menaxhimin e baseneve ujorë që Shqipëria ndan me Greqinë një çështje që nuk është pjesë e diskutimeve dypalëshe prej më shumë se një dekade.
Top Channel