Gjermania, bisedime me aleatët pas propozimit polak për vendosjen e sistemit “Patriot” në Ukrainë

25/11/2022 19:14

Gjermania tha të premten se është duke diskutuar me aletët mbi kërkesën e Polonisë që sistemi gjerman i mbrojtjes ajrore “Patriot” të dërgohet në Ukrainë, pas sinjaleve të dhëna nga shefi i NATO-s se alanca ushtarake mund të mos e kundërshtojë një veprim të tillë.

“Jemi duke biseduar me aleatët tanë për mënyrën se si mund ta trajtojmë propozimin e Polonisë”, u tha gazetarëve në Berlin një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Berlini i ofroi Varshavës sistemin “Patriot” për ta ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore, pas rrëzimit të një rakete javën e kaluar në Poloni duke vrarë dy persona. Më vonë ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszcak i kërkoi Gjermanisë që në vend të kësaj të dërgonte sistemin e mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se një vendim i tillë u takon vendeve individuale, duke marrë parasysh rregullat se kush mund të jetë përdorues i sistemit.

“Vendimet specifike për sisteme specifike u përkasin vendeve”, tha ai në një konferencë shtypi në Bruksel.

“Ndonjëherë ekzistojnë marrëveshje mbi përdoruesit përfundimtarë të sistemit dhe detaje të tjera, kështu që ata duhet të konsultohen me aleatët e tjerë. Por në fund të ditës, vendimi duhet të mirret nga qeveritë e vendeve”, shtoi ai.

Komentet e zotit Stoltenberg vijnë një ditë pasi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht tha se vendosja e njësive “Patriot” të Gjermanisë jashtë territorit të NATO-s kërkon diskutime paraprake me NATO-n dhe aleatët.

Sistemi “Patriot” i mbrojtjes ajrore prodhohet nga kompania amerikane Raytheon RTX.N.

Të premten, presidenti polak tha se i takon Gjermanisë vendimi se ku do të vendoset sistemi i saj “Patriot, ndërsa shtoi se do të ishte më mirë për sigurinë e Polonisë që ato të vendosen pranë kufirit në territorin ukrainas.

“Nga pikëpamja ushtarake, do të ishte më mirë nëse ato vendosen në Ukrainë për të mbrojtur edhe territorin polak. Atëherë sistemet do të mbronin Ukrainën dhe Poloninë në mënyrë më efektive”, tha Andrzej Duda në një konferencë shtypi në Kaunas të Lituanisë, ndërsa ritheksoi se “vendimi i takon pales gjermane”.

Zoti Duda tha më vonë se Gjermania mund të dërgonte sistemin “Patriot” në Ukrainë pa dërguar trupat e NATO-s për ta operuar atë, diçka që siç thotë ai Kievi e ka kërkuar për një kohë.

“Por nëse nuk arrihet pajtimi për këtë, le të vendosen këtu në Poloni dhe të na mbrojnë ne”, shkroi zoti Duda në Twitter.

Gjatë stërvitjeve të NATO-s në verilindje të Polonisë, ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszcak u shpreh i befasuar nga vlerësimi i Berlinit se sistemi gjerman “Patriot” mund të ishte shumë i avancuar për t’u transferuar në Ukrainë.

“Këta janë ‘Patriotët’ më të vjetër, versioni polak është më i riu… Pretendimi se ‘Patriotët’ e vjetër gjermanë janë shumë të avancuar nuk është i vërtetë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA