Mediat malazeze japin detaje të reja nga rasti i kokainës së kapur në Portin e Tivarit e cila do të transportohej më pas në laboratorin e ngritur në Frakull të Fierit.
Droga, shkruan “Vijesti” mbërriti atje në muajin korrik dhe deri dje, forcat e policisë kishin qëndruar në pritje për të parë se kush do ta merrte. Fill pas kësaj, u organizua operacioni i arrestimit. Kokaina ishte vendosur mes thasëve me pleh kimik.
Inspektorët e Departamentit për Luftimin e Kontrabandës së Drogës në Mal të Zi vendosën të mos e sekuestronin menjëherë ngarkesën, por të prisnin klientin që do të vinte për ta marrë. Kjo pritje zgjati 4 muaj. Njëzet paleta të ngarkuara me pleh kimik kishin mbërritur në korrik dhe në thasë, shkruan gazeta malaeze. Ishte një shtetas shqiptar ai që shkoi të merrte ngarkesën, dhe policët e malazezë e kolegët e tyre shqiptarë iu vunë nga pas, vazhdon artikulli.
Të dyshuarit për kontrabandë lëndësh narkotike u prangosën në territorin e Shqipërisë, thuhet më tej, ndërsa inspektorët kontrolluan pronat e klientit në një zonë në afërsi të Tiranës. Sipas ‘Vijestit’, dyshimet e para se paletat ishin ngarkuar me diçka më të shtrenjtë dhe jo me pleh artificial, lindi nga diferenca jashtëzakonisht e madhe mes vlerës së ngarkesës dhe transportit të saj.
Një ditë më parë u njoftua se forca shqiptare të policisë, në bashkëpunim me DEA-n amerikane, SPAK dhe policinë malazeze zbuluan një sasi prej 400 kilogramësh pleh kimik të përzier me kokainë, i cili ishte nisur nga Mali i Zi drejt Shqipërisë.
Top Channel