Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane
Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama pas përmbytjeve në tre qarqeve të vendit nga reshjet e dendura të shiut.
Deputeti Ferdinand Xhaferraj ishte i pari që mori fjalën, duke kërkuar nga qeveria që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në zonat të cilat kanë pësuar dëme të mëdha nga përmbytja e tokave dhe banesave, në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Me tetë pyetje drejtuar kryeministrit, Xhaferraj tregoi edhe video nga viti 2010 kur në kohën e përmbytjeve të asaj kohe, kur Edi Rama i kërkonte llogari qeverisë Berisha.
“Kryeministrit i kërkojmë të japë përgjigje për disa pyetje që kanë interes për ne si deputete të opozitës dhe për qytetarët shqiptarë: 1. A kishte informacione dhe të dhëna qeveria shqiptare lidhur me reshjet e pritshme të datës 20 Nëntor e në vijim?2. Nëse po, cilat ishin masat e marra nga qeveria për të siguruar jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë? 3. A u bënë shkak për përmbytjen e zonave të nën-Shkodrës hapja e portave dhe shkarkimet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vau Dejësit, siç deklaroi prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni? 4. Pse nuk u lajmëruan familjet që prekeshin nga përmbytjet si rezultat i shkarkimeve të hidrocentraleve që të merreshin masat e nevojshme, përfshirë evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë? 5. A ka filluar një vlerësim paraprak i dëmeve të shkaktuara dhe a mund te kemi një informacion? 6. Ministri i Mbrojtjes, z. Peleshi ka përsëritur disa herë që qeveria iu ka akorduar bashkive një fond prej 10 mln dollarë për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. A është ky fond i mjaftueshëm për përballimin e dëmeve të shkaktuara? 7. Cilat janë investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës? 8. A ka vlerësuar qeveria shqiptare mundësinë e transferimit të banorëve, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, në zona më të sigurta?”- tha ndër të tjera Xhaferraj.
Në përgjigje të pyetjeve, Rama tha se gjendja në ato zona nuk është e tillë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Teksa krahasonte shifrat me 2010-tën, Rama tha se përmbytjet e këtyre ditëve në Shkodër nuk kanë lidhje me kaskadën. Kreu i qeverisë tha se nga 6 mijë banesa të prekura para 12 vitesh, këto ditë u prekën vetëm 30 banesa në Shkodër.
“Gjendja e emergjencës ka një kuadër të plotë ligjor, që nuk kanë asnjë lidhje me situatën aktuale. Janë faktet që flasin qartë. Si rezultat i administrimit të Kaskadës, pikërisht për ta ilustruar sinkronin, do them pse i qëndroj atyre që kam thënë. Po i referohem shifrave të bashkisë Shkodër, që dihet se nuk influencohet nga qeveria. Në atë kohë kur unë kam thënë atë, janë përmbytur 25 mijë e kusur hektarë vetëm në Shkodër. 14 mijë kanë futur brenda edhe qytetin e Shkodrës në atë kohë, mund t’i referoheni pamjeve. 1458 ka qenë këtë herë, nuk ka lidhje me kaskadën, zero dhe 4 mijëshi është bashkë me Lezhën. Në Durrës ka pasur një pasqyrë të qartë që shikohet sa herë vjen i njëjti test, puna këmbëngulëse e bashkisë. Bashkia Shkodër ka punuar rregullisht. Ka një problem me disa pika që janë nën kuotë. A mendon qeveria t’i spostojë këta njerëz, kjo vlen për shumë pika, por kjo nuk bëhet a mendon qeveria, por duke bashkëpunuar të gjithë së bashku. Për të ardhur te shtëpitë, banorët e prekur 68 mijë banorë të prekur në kohën që është nxjerrë ai sinkroni im, ndërkohë 130 qytetarë të evakuuar tani. E fundit për banesat. Ne kemi pasur shumë më tepër përmbytje, në kohën kur përmbytjet ishin gjë e rrallë. Që të kthehemi sërish, ka përmbytje e përmbytje. Ajo ishte përmbytje e robit jo e zotit, janë edhe të dhënat. Uji në përmbytjen e atëhershme vaji deri në çati dhe preku sipas bashkisë, mbi 6 mijë shtëpi, ndërsa këto ditë ka pasur 30 banesa. Nëse unë e marr kamerën e Iphonit e fus në një vrimë të vogël me ujë, mund të stimuloj një përmbytje globale po të dua, por e vërteta është ndryshme. Për këto flet bashkia e Shkodrës, e cila nuk drejtohet nga PS, por nga ajo që diku quhej PD“- tha Rama ndër të tjera.
Top Channel