Situata në vendet e prekura nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve intensive në Shqipëri, ka një përmirësim.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC ndërprerja e reshjeve në orët e fundit ka sjellë tërheqje të ujit në sipërfaqet e përmbytura, por jo në të gjitha territoret.
Në Bashkinë Shkodër:
Sipërfaqe toke me prezencë uji ka mbetur 1130 ha tokë, ndërsa vijon tërheqja.
Nuk ka banesa me prani uji. Mbeten ende edhe 7 familje të evakuuara nga 52 që ishin ditën e parë. 24 anëtarët e këtyre familjeve janë strehuar në konvikt.
Lumenjtë Drin dhe Buna janë brenda nivelit kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Në Bashkinë Lezhë:
Mbeten 4 banesa me prezencë uji, ndërsa sipërfaqja e përmbytur është 2350 ha.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pandërprerje. Konkretisht Droje, Shllinza, Tale, Ishull Shëngjin, Grykë Zezë, Gocaj nivelet e ujit janë nën kuotën kritike dhe hidrovori Balldre brenda normave.
Punonjësit e OSHEE po punojnë për të rikthyer energjinë, pas shkëputjes si pasojë e motit të keq në disa zona të Gjirokastrës, Shkodrës dhe Kukësit.
Deri më tani në qarqet e tjera nuk ka probleme.
Mbështetja humanitare në zonat e prekura nga përmbytjet ka vijuar në bashkitë: Pukë, Vau i Dejës, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, konkretisht janë shpërndarë:
150 pako ushqimore në Pukë
100 pako në Vaun e Dejës
200 pako në Lezhë
Shkodër 580 pako me detergjentë, 580 pako ushqimore, 15 ton bazë ushqimore
Malësi e Madhe 362 pako ushqimore
Prej datës 20 nëntor, që kur nisën reshjet intensive janë aktivizuar në terren:
710 Forca të Armatosura
605 Forca Zjarrfikëse
454 Forca nga Policia Shtetit
345 Forca Vullnetare
146 Forca të FNSH
Ekipet e Shërbimit Mjekësor
165 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe zjarrfikëse
Varka dhe motorbarka.
Forcat e Armatosura, nën kooordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile mbeten të gatshme të bashkëpunojnë me pushtetin vendor në çdo rast nevoje.
Top Channel