Me tone të ashpra, me vargjet e Fan Nolit dhe Faik Konicës iu është përgjigjur Rama sot në Kuvend akuzave të opozitës për projektin e Portit të ri të Durrësit.
Nga foltorja e parlamentit, Rama tha se opozita po tjetërson shifrat dhe se shteti shqiptar nuk po i fal asnjë metër tokë investitorit të Durrësit. Rama tha se për herë të parë shteti është ortak me një investitor të huaj dhe kompania është e regjistruar, jo offshore.
Muhamed Alabbari, tha Rama, është investues i njohur botërisht dhe ndaj një personaliteti të tillë nuk mund të ngrihen akuza, madje, sipas Ramës ai duhet pritur me lule në Shqipëri.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës në Kuvend:
“Në të vërtetë ne s’po falim asgjë, asnjë metër tokë, por po japim të drejta zhvillimi mbi një pronë shtetërore, ku pikërisht pse shteti është pronar, shteti për herë të parë është edhe ortak me një investitor të huaj i cili nga ana e tij nuk do të investojë as 80 as 120, po 2.1 miliardë të paktën, të paktën! Por mëmëdhetarët që vijnë prej të shkuarës, të ngarkuar me atë misionin e asaj poshtërsisë së vjetër, ortakut –shtet ia numërojnë tërë vlerën e pronës ndërsa investitorit ia zënë veç, vetëm likuiditetin që ai deklaron si financim, i gatshëm për fazën e parë dhe duke qenë se turpin, këta të paudhë e kanë ngrënë me bukën e pavarësisë, plot 110 vjet më parë, i çajnë daullet e veshit miletit që dhe taksat na qenka falur të tëra.
Po jo more, asgjë nuk është falur, janë plot 1.069 miliardë euro që shteti shqiptar do të përfitojë nga TVSH-ja, nga tatim-fitimi dhe nga kontribute të tjera.
Ndërsa taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk falet, por është kontribut i ortakut-shtet i cili zotëron 33 % të aksioneve, dhe ky 33 % nuk ndryshon në asnjë moment ndërkohë që ky ortaku-shtet i futur në këtë investim nga ne tradhëtorët, për të qenë i pranishëm aty në emër të të gjithë taksapaguesve shqiptarë, ka VETO për të miratuar buxhetin në dispozicion të këtij projekti si dhe të borxhit dhe të çdo vendimmarrje me rëndësi. Kur ka ndodhur ndonjëherë? Kur? Që shteti shqiptar të hyjë në investim si ortak dinjitoz, me aksionet e veta, apo ka ndodhur kur Shqipëria iu ofruar investitorëve me 1 euro, njëckë, njëckë nga ‘’Napoleoni i gjirizave” dhe Piter Mangut i kërkohej gjysmë për gjysmë me “gjirizin napoleonik”, ndarja e shamisë së kërcimit nga belaja në këmbim të marrjes vetëm për 1 euro, vetëm 1 euro të tërë zonës.“Jeni ortakë”, thonë, – “në një kompani offshore”, mufot dhe çufot, ku nuk mungojnë dhe gjelat e detit sepse janë një prurje e re demokratike.
Ndërkohë që kompania “Eagle Hills” është e regjistruar në Abu Dhabi, me përfitues fundor të ditur, të bërë publik në komisionet e Kuvendit, madje dhe garantët konfidencialë që më thanë se kishin rrjedhur diku në kanalet dixhitale, janë në Abu Dhabi.
“Po nuk është Emaari”, thonë, “prandaj ky është mashtrim”. Duke mos pasur asnjë lloj cipe që këtu nuk më akuzojnë mua, nuk na akuzojnë ne, se mirë dakord, mua më dinë si veten e tyre, llupës të pangopur trojesh, ujërash dhe gjelash deti, po akuzojnë për mashtrim një personalitet të ekonomisë globale, themeluesin dhe drejtuesin e “Emaar Group”, i cili është në të drejtën dhe në lirinë e tij të vijë në Shqipëri me një kompani fringo të re, ta quajë ‘’Eagle Hills Albania’’ njësoj siç ka shkuar në Serbi, me ‘’Eagle Hills Serbia’’, njësoj siç ka shkuar në vende të tjera me Eagle Hills vendi tjetër e tjetër, ama boll që në ballë dhe në shpinë të këtij operacioni masiv të jetë ai, Mohamed Alabbar, një investitor, një sipërmarrës dhe ndërtues i mirënjohur dhe i respektuar botërisht, Allahu i tij e di se ç’taksirat kishte që të përfundonte në dhëmbët e Esatit dhe kulishit të tij, Dervishit së bashku me vagabondët e 1914-s!
Çfarë mendje duhet të kesh për të ngritur akuza të tilla për një personalitet të ekonomisë globale i cili kur i thonë llafit, duhet pritur me lule këtu, pa dallime partiake fare sepse do të japë një kontribut historik për ekonominë e vendit dhe do të hapë rrugën më të gjerë të punësimit në historinë e këtij vendi nga një investim i vetëm, 12 mijë vende pune dhe të mirë paguara.
Ja u them çfarë mendje duhet të kesh. Duhet të kesh mendje hajduti, duhet të jesh vetëm me një mendje hajduti si e atyre që jepnin copat e vendit me 1 euro dhe nën dorë kërkonin gjysmën e “shamisë të kërcimit nga belaja”, apo si të atyre që nuk e kanë tregtuar për hir të së vërtetës ndonjëherë ndonjë copë Shqipërie hajdutëshe, po jo se s’kanë dashur po se s’kanë patur gjë në dorë. Po që po t’ju bjeri në dorë, kur e dëgjon, e kupton që do e shqyejnë “shaminë” fare, e shqyejnë. Vetëm një mendje e tillë mund të prodhojë akuza llum, zi, që të marrë ujërat e të shkojë deri në Dubai.
“S’kemi gjë me atë burrin”, thonë, “ç’punë kemi ne me Mohamed Alabbar? Ne e kemi me Edi Ramën, hajdutin, kriminelin, mafiozin Edi Rama që na vjedh zgjedhjet me paratë e krimit dhe të korrupsionit prandaj këtu s’duhet të ketë asnjë investim, këtu duhen ndaluar PPP-të, këtu duhen ndaluar të gjithë tenderat, këtu duhen ndaluar edhe investitorët e huaj” dhe mos o Zot, mos o Zot tani, na vjen ky burri I Portit të Durrësit që të fillojë punë në Shqipëri.
Prandaj Lumo Skëndua s’e kishte gabim as atëherë, se ka gabim as sot, se na e shpjegon: “zilia dhe egoizma janë dy sëmundje të mëdha dhe fort të dëmshme dhe të rrezikshme të racës sonë, dy sëmundje që burojnë ngaqë nuk kemi jetë politike dhe jetë patriotike , nuk kemi gjykim të shëndoshë dhe të vërtetë për interesat tona, interesa lëndore ose morale. Kjo zili dhe ky egoizëm na shtyn të themi, pse të jetë ai aty dhe të mos jem unë? Këto sëmundje na bëjnë të themi, po të jetë asekushi që dua unë i madh mirë, ndryshe më mirë të mos ketë fare Shqipëri!” Histori bajraqesh domethënë dhe të sëmurësh për mendtë e kokës, ndërsa unë ça të them unë?
Këtu që nga 1912 është përmbysur themeli i civilizimit tonë, e drejta romake, e drejta romake thotë se barra për të provuar akuzën, i takon akuzuesit dhe jo të akuzuarit. E çuan komunistët përmbysjen e të drejtës romake deri në skajet e ferrit, ku të ngjeshin akuzën bashkë me disa dëshmitarë të rremë, të kërdisin në dru dhe pështyma dhe thonin “Hajde dhe provoje tani që nuk e ke tradhtuar popullin dhe Partinë”, pastaj u ngritën dhe këmbët dhe t’i bien kokës, siç thoshte Çeço Musaraj, e si përfundim, deti u bë kos dhe kosi u bë dhallë, bashkë me kokën e shqiptarit që i bërtasin hajdutët “Çohu, ngrihu, eja bashkohu të kapim hajdutët. Çohu shkuma party, fut e bjer, po vidheni përditë, po ju vjedhin miliarda këtu, miliarda atje, miliarda që nuk mbarojnë, vidhen përditë miliardë, çohuni shqiptarë se tani ka dhe rubla. Rubla, rubla, hajde shqiptarë ngrihu çohu, çohu se dhalla do bëhet prapë kos”.
Ajo e shkretë e drejtë romake presupozon se akuzuesi është njeri me një minimum edukate morale, minimum respekti për detyrimin ndaj prindërve, të paktën, që ju kanë rritur kur keni qenë të vegjël para se t’iu rrëmbente hija që e përndjek Shqipërinë që nga 1912, apo ndaj fëmijëve që rrisni, një minimum cipe, cipë mbi fytyrën që perëndia jua ka dhuruar bujarisht, duke ju dalluar me zemërgjerësi nga kafshët dhe vetëdije në drejtimin e gjuhës së njeriut, e cila, gjuha e njeriut ndryshon nga llapa e kafshës, pikërisht sepse përveç funksioneve të përbashkëta që kanë, e bekuara gjuhë ka dhe atë funksionin më të përveçëm, fjalën, fjalën që libri i shenjtë thotë është Zoti.
Por, ne dimë edhe tjetrën. “Edhe engjëlli edhe djalli flenë brenda tek i gjalli”. E juaja është hija e mallkimit të 1912, jua ka vënë engjëllin në gjumë të thellë dhe ju mban djallin zgjuar.
Këtu, falë atij mallkimi që na përndjek, e keni parasysh këmbën e atij kinezit të Ismail Kadaresë? Akuzat kanë marrë të drejtën absolute qytetare, madje, t’i thuash tjetrit hajdut, dhe ju sfidoj të më gjeni njëherë të vetme t’i jep drejtuar dikujt dhe i kam thënë “Ti je hajdut, kriminel, mafioz”. Quhet si një kulmim i lirisë së shprehjes dhe si një lloj trimërie, madje. Aq trimëri e madhe është t’i thuash tjetrit kriminel sa duhet të jesh gati të bësh dhe video të manipuluara, me dëshmitarë të manipuluar dhe të përballesh me gjykatat si të ishe një tribun i vegjëlisë.
Ndërkohë që, të jesh politikan do të thotë të jesh automatikisht i korruptuar, të jesh ministër do me thënë të jesh automatikisht shumë i korruptuar, të jesh kryeministër do të thotë të jesh automatikisht i krye korruptuar.
Tani dëgjojeni këtë: “Ismail Qemali është hajdut. Unë nuk dua gjë tjetër përveç shpëtimit të Shqipërisë, dhe pastaj do të tërhiqem”, thoshte pa u bërë ende qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, i njëjti shpirt i keq. Citoj “Mes karakteresh të liga dhe shumë sharlatanësh e gjelash deti u përzien me këto punë dhe çdo gjë mbeti në baltë se kur u nis nuk u mendua fundi”, dhe ja urdhëro sot e gjithë ditën vazhdon po ai shpirt i keq, vazhdon me të njëjtin avaz, çdokush tjetër në krye veç atij ka qenë dhe mbetet hajdut, që nga Ismail Qemali ndërsa ky bartës primar i poshtërsisë 110 vjeçare, kundër popullit të Shqipërisë nuk do asgjë, nuk do asgjë, përveç shpëtimit të Shqipërisë, shpëtimit të sovranitetit të saj, dinjitetit të saj dhe pastaj ai do të tërhiqet, me dinjitetin e rivendosur në vend për veten dhe natyrisht për Shqipërinë.
Nëse as unë, e as kjo qeveri nuk i vijmë, as tek thembra dot qeverisë së Vlorës, kush ka dyshime sot më thoni? Që sot, ne po përplasemi po me ata, që qysh ditën e parë menduan për vajgurin për t’i vënë flakën qeverisë së Vlorës, me po atë flamë, me njerëz të dalë nga të njëjtët gjirize, me zëvëndësa e eprorë Esatin dhe këlyshin e tij Dervishin që të rimishëruar në trupa dhe në surretër të tjerë, natyrisht, që mbajnë brenda të njëjtin shpirt të keq shtegtar, nga trupi në trup, nga gjenerata në gjeneratë, duan të shpëtojnë Shqipërinë gjithmonë nga kryeministra hajdutë.
Në i ardhtë Shqipërisë ndonjë e keqe, padyshim nga fjalët do t’i vije, në parlament, në zyra, në kafene, në mbledhje, tek miqtë nuk dëgjon veçse fjalë, ide gjithnjë e të dështuara, të bëra ujë në nxitim të daljes kurdoherë të përziera me inat, pasion, smirë dhe zili. Mbase thahen rrallë ose kurrë të thëna me qëllim të dëlirtë dhe kështu, fryma, jeta, rrojtja dhe mejtimi i popullit të tërë shkon në tym”.
Fjalë të thëna atëherë, të arta, kur nuk kishte internet, kur nuk kishte Facebook që ta kthente ujemin e neveritshëm të asokohe në kënetën oqeanike të llumit dhe të marazit të sotëm ku gëlojnë si mushkonja helmuese gjysmë të vërteta të panumërta, të cilat janë dhe gënjeshtrat më të mëdha e pastaj ashtu të fryra, nga helmi i poshtërsisë së vjetër, gënjeshtrat marrin dhenë dhe nëpër botë, pasi përtypen dhe ripërtypen mirë këtu një herë, siç ripërtypin lopët bathët, por ama me një qetësi kriminale që e bën lopën të duket si engjëll i rënë nga Cappella Sistina, para njeriut të së njëjtës gjuhë amtare, që i shpërndarë në mijëra e qindra kopje në parlament, në televizor, portal më portal, Facebook më Facebook, duke harmonizuar paturpësisht injorancën dhe ligësinë, bën publikisht hetuesin kompetent nga mëngjesi deri në darkë, sa miliarda vidhen çdo orë.
Këta tru të pazhvilluar, çiliminjsh pleq, – thotë Faik Beu, – nuk zmbrapsen nga asnjë anakronizëm kur marrëzitë e tyre botohen në gazeta shqip. Qarku i atyre që qeshin është i vogël, por këta ekspertë të çuditshëm gjejnë nga ndonjëherë rastin të flasin në vende ku zëri i tyre dëgjohet edhe më lart dhe atëherë mjerë Shqipëria që bëhet qesharake, pa asnjë faj fare dhe të tilla gjëra kanë ngjarë disa herë, ndërsa sot të tilla gjëra ngjasin përditë, bam e bum në çdo hap për çdo punë, “luftë për ca zuzarë që u lindën shqiptarë e armiq të Shqipërisë i fryjnë dritës së lirisë, nuk na lënë dhe ne të tjerët të dalim nga gjumi i errët por ç‘dëgjojnë venë e thonë dhe ç‘shohin e tradhëtojnë”.
Më shumë se 100 vjet më parë, fiks në 1915, pena e ndritur e një njeriu që në fakt, e djathta duhet ta kishte flamur, po të kishte të djathtë këtu, natyrisht, dhe po të mos ishte ajo që quhet e djathtë një çorbë rublash që përzihet çdo ditë nga një ish komunist dru me pre dhe një spiun i dru me preve të komunizmit. Ajo pendë e përshkruante Shqipërinë që mezi pret, qysh atëherë, e dini çfarë? Këtë që po bëjmë ne sot, pikërisht këtë, programin tonë për portat e hapura të detit, ku projekti i Durrësit është xhevahiri më i madh i kurorës.
Dëgjojeni atë që do ta kishit ju flamurin tuaj. Një gjë më ka habitur, mungesa e anijeve dhe e vaporëve. Kemi një bregdet të bukur nga Shkodra në Prevezë dhe s’kemi asnjë detar, veç ca ulqinakë të vendosur në Shkodër dhe himarjotët, Dalmacia dhe Greqia, a nuk na bëhen vallë shembuj me mijëra anijet dhe vaporët e tyre? E pra, Shqipëria 2030 do t’i ketë. Do t’i ketë ato që pret qysh prej 1912-ës. Sepse do të ketë të paktën 4 porte turistike të klasit të parë. Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin. I vetmi që nuk është në fazë të avancuar është Shëngjini. Vlora është në ndërtim. Saranda është në ndërtim. Si dhe do të ketë dhe dy porte moderne tregtare! Jo ky antiku juaj. Njëri në Vlorë është në ndërtim dhe tjetri atje në Porto Romano me rreze rajonale dhe me dy degëzime portesh të thata, një në Prishtinë dhe një ne Strugë, po ua përsëris të konceptuar dhe të projektuar nga Royal Haskoning, jo nga studioja Gjirizi B, as punët e brendshme të ngatërruara, të shtrembra dhe të ndyra të atyre që i kanë sjellë në skenën e historisë, fatkeqësi të përbashkëta, nevoja e hijes së mallkimit që e përndjek këtë vend dhe as gojët që bëjnë të njëjtën punë ne nuk na pengojnë dot. Këtë duhet ta dëgjoni me vëmendje. Nuk keni asnjë shans të na pengoni dot. Natyrisht për tërë të zezat që gojët kanë nxjerrë me furi ndaj meje, unë çfarë të them? Ju kam lënë Zotin. Ju kam lënë Zotin sepse mendoj që vetëm ai mund të zgjidhë ta pazgjidhshmen në këtë rast, por sot po ju lë ju të paudhëve që hoqët gozhdën dhe ju mbeti vrima, edhe Faik Beun. Faik Beu kasneci i së vërtetave të mëdha të shqipove që të gjithëve në fakt na ka dalë borxhit me qindra herë, por që jo të gjithë kanë dashur ta dëgjojnë. Dhe kush se ka dëgjuar është katandisur fiks si fytyrat që unë shoh po të kthej kokën djathtas.
“Ndër turinjtë me të dendur të Shqipërisë duhet vënë re ai që është gati të vdesë për kombin.
Unë – Kur je gati për të vdekur për Atdhenë? Ç’pret? S’ka ardhur koha – thotë ai.
Atëherë unë: Në mos erdhi koha për të vdekur djalë, erdhi një kohë tjetër. Erdhi koha të ngrihesh ta kapërcesh me vrap pragun e derës se mjaft më çave kokën!”
Top Channel