Një call-center i cili mashtronte shtetas të huaj përmes telefonatave që ata të investonin në bursa fiktive, është zbuluar nga policia në Tiranë.
Administratori i këtij call-centeri, Ergi Nurcellari si dhe pesë operatorë të tjerë kanë rënë në pranga, pasi telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex. Në pranga ranë operatorët K. Gj., 25 vjeç, Sh. F., 26 vjeç, A. Sh., 20 vjeç, K. K., 20 vjeç dhe H. S., 26 vjeç, të pestë banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.
Po ashtu, u shpall në kërkim administratori tjetër i këtij subjekti, P. A., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe u procedua penalisht D. K., 26 vjeçe.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e P. A.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel