Kryeminstri Edi Rama, në prezantimin e projektit të Portit të Durrësit në Kuvend është shprehur se do të jetë “investimi më i madh i huaj në historinë e vendit tonë”.
Teksa tregoi disa pamje nga porti sot, kryeministri tha “se kjo gërmadhë ndryshku duhet të ndryshojë”.
“Kur shikon këto pamje, e kupton pse je i shqetësuar. Ky port është skandal mjedisor, gërhitje teknologjike, në portin më të madh të Shqipërisë.
Njëlloj si mali i plehrave që zhdukëm në Porto Romano, edhe kjo platformë që s’ka lidhje me vizionin dhe turizmin e Shqipërisë, duhet të zhduket nga faqja e dheut. Marrëveshja është investimi më i madh i huaj në historinë e vendit tonë. Nga një platformë e zezë si surrati i atyre që e përndjekin Shqipërisë, do të kthehet në një nga portet më të mëdha në Ballkan”.
Sipas Ramës, në 10-vjeçarin e parë, operimi i marinës së Durrësit do të jetë motorr ekonomik me kontribut 8 miliard euro në prodhimin e përgjithshëm ndërkombëtar.
“Për herë të parë në një kontratë publike, është garantuar imuniteti i pronës publike. Do të kemi investim në një vepër të konsiderueshme. Ne do të hapim katër porta, për ta kthyer Shqipërinë e 2030 në një vend kampion të Ballkanit në turizëm”.
Kryeministri thotë se opozita kundërshton çdo projekt të qeverisë me qëllime dashakeqëse, por thekson se projekti do të finalizohet.
“Doni apo s’doni ju, kurrë mos daçi se nuk na duhet se çfarë doni”, i tha ai deputetëve të opozitës, të cilët e kundërshtuan nga vendi.
Investimi prej 2 miliard dollarësh për projektin e Durrësit, Yacht & Marina, është klasifikuar si investim strategjik duke përfituar pronën për të kryer investimin përmes një marrëveshjeje me qeverinë.
Top Channel