Në datën 6 tetor 2022, Fiks Fare transmetoi një investigim për vjedhjen e pensioneve të dhjetërave personave në Korçë, në degën e fshatit Dishnicë.
Punonjësi Igli Shkambi, pasi mori pensionet iku në Itali. Fiksi faktoi me zë dhe figurë se Filiali i Postës në Korçë tentoi me çdo mënyrë që të “fshehë” hajdutin, duke ruajtur në këtë kohë edhe veten e tyre. Ata i orientuan pensionistët e vjedhur që ta zgjidhnin me babanë e punonjësit.
Por, vetëm pas interesimit të Fiks Fare, Posta e Korçës, u kujtua të bënte kallëzim penal për punonjësin.
Por, çfarë është bërë me këtë çështje, a janë hetuar përgjegjësit, ndaluar apo proceduar? Në redaksinë e Fiks Fare u ankuan sërish pensionistët, ku më i dëmtuari, Pëllumb Bame, thotë se i janë vjedhur 14 muaj pensione. “Më kanë marrë mbi 4 milionë lekë të vjetra. I ka marrë Igli, unë kam qenë në Belgjikë dhe kur erdha e gjeta Iglin.
I thashë dua pensionin. Jo tani, jo nesër. Shkoj te Posta në Korçë më thonë duhet ta bëjë kërkesën Igli. Ai ishte në Shqipëri. Shkova të nesërmen, ai s’ishte. Kishte ikur në Itali. Posta e Korçës nuk ndërhyri” thotë ai.
Pyetjes se kur është bërë denoncimi nga Posta dhe a ka pasur ndonjë hetim dhe verifikim gjatë këtyre javëve, Pëllumbi tha se jo. “Kam dhënë deklarime vetëm para një OPGJ të Krimit Ekonomik”. “Igli ka ikur në Itali, ata të postës vijojnë punën. Me sa po shoh, unë jam më i ‘dënuari’. S’kemi marrë zgjidhje. Unë do iki sërish në Belgjikë ku dhe rri dhe posta, policia dhe prokuroria vetëm sa na sorollasin. Mbrojnë njëri-tjetrin” pohon ai.
Pas denoncimit, qytetari shkon te Posta e Korçës. Takon drejtorin dhe punonjësit e tjerë. I thonë se ata e kanë referuar rastin për në prokurori dhe vetëm presin, s’kanë çfarë të bëjnë më! Pensionisti i pyet se Igli këtu ka qenë, përse s’kanë ndërhyrë. Ndërkohë, i thonë se kanë bërë verifikimet dhe e kanë referuar. “Edhe ju keni përgjegjësi. Pse më orientuat të takojë babanë e tij. Ai këtu ishte dhe iku. Ju e mbrojtët” i tha pensionisti drejtorit. Por ky i fundit iu përgjigj se “shteti funksionon me letra”.
Më pas, Pëllumbi shkon në Policinë e Korçës, takon oficerin që e mori në pyetje. Oficeri i thotë se “unë ato që kisha për të bërë i bëra, tani e ka në dorë prokuroria”.
Ai i thotë se duhet të interesohet se “ndoshta e kanë lënë pas dore”. E orienton që të takojë drejtuesen e prokurorisë dhe ti thojë problematikën që të veprojë shpejt. “Nëse duan, hetojnë ata” i thotë OPGJ. Më tej, OPGj hedh edhe akuza të tjera për prokurorinë. “Ku e di ti që s’ka gisht edhe drejtori. Neve s’na e kanë dhënë. Mund të dilte ndonjë çështje tjetër aty” thotë oficeri.
Pas rekomandimeve, qytetari shkon edhe në Prokurorinë e Korçës, në të cilën ka bërë edhe një kërkesë, pasi deri më tani s’është marrë në pyetje. Takon një punonjës, i cili pas interesohet te grupi hetimor, i thonë se “do të të thërrasim vetë”. Sipas punonjësit, prokurorja quhet Odeta Todorushi dhe “kur ta mendojë prokurorja, do të të kthejë përgjigje”. Fiksi i bëri një kërkesë Prokurorisë së Korçës, nëse po hetohet apo jo Igli Shkambi. Dhe, a janë marrë në pyetje Pëllumb Bame dhe a po hetohen drejtuesit e Postës së Korçës. Por, deri në transmetimin e këtij investigimi, kjo akuzë s’na ka kthyer përgjigje.
Pra, të gjitha institucionet pranojnë se ka pasur vjedhje të pensioneve. Por, qytetarët po sorollaten nga njëri vend në tjetrin dhe ende s’kanë marrë drejtësi. Të vetmit të “dënuar”, janë pensionistët!
Posta Korçë
Pensionisti – Unë dua lekët, unë nuk dua përgjigje asnjë gjë. Unë dua lekët o vëlla, unë jam për të ikur në Belgjikë deri më tani më keni penguar. Unë s’kam të bëj fare as me prokurori as me gjykatë asnjë gjë. Në prokurori ka të bëjë ai që ka vjedhur.
Drejtori i Postës – Ne jemi shtet veprojmë në bazë të ligjeve, kemi ndjekur procedurën ligjore. E kemi çuar çështjen në prokurori. Presim verifikimet nga prokuroria.
Pensionisti – Atëherë mua, mua kush do të mi plotësojë këto lekë të jetojë unë?!
Drejtori i Postës – Të na japë përgjigja prokuroria dhe ne të dimë si të ecim.
Pensionisti – Ju atë person (postierin e Dishnicës) e lejuat që të ikte.
Drejtori i Postës – Tani Pëllumb nga këto akuza mos më bëj.
Pensionisti – Unë s’bëj akuza. Unë isha këtu, kërkova këtu, kur ai ishte këtë.
Drejtori i Postës – Pëllumb, mos më thuaj e ke mbajtur ti atë person.
Pensionisti – E ke mbajtur ti, unë isha këtu dhe ai ishe këtu.
Drejtori i Postës – Unë çdo përgjigje do të ta jap me përgjigje zyrtare. Dakord?
Pensionisti – Ju më keni mbajtur lekët, 4 milionë e ca lekë!
Drejtori i Postës – Unë të pres si qytetar, të marr dhe të sqaroj.
Pensionisti – Po. Edhe unë të vij ty si drejtori.
Drejtori i Postës – Deri në këtë moment, s’kemi asnjë përgjigje nga prokuroria.
Pensionisti – Unë s’kam thënë asnjë fjalë kur ti më solle të atin (babanë e punonjësit që vodhi pensionet) këtu.
Drejtori i Postës – Nuk dua t’ia di fare!
Pensionisti – S’bëj kompromis me të vëllai jot. Unë dua lekët nga ju.
Drejtori i Postës – Pëllumb, s’i çoj njerëzit…
Pensionisti – Po pse ma solle atë këtu.
Drejtori i Postës – Unë të nxjerr këtu…
Pensionisti – Të merrem unë me të atin.
Drejtori i Postës – S’ke pse merresh fare, unë prandaj ta kam çuar në prokurori rastin.
Ekonomistja e Postës – Ti ke të drejtën që je shqetësuar se të janë vjedhur lekët e tua, por duhet të dish që ka disa procedura. Unë s’dija asnjë gjë që ça kishte ndodhur. Ti erdhe dhe më the që s’kam marrë pensionin.
Pensionisti – Ti e ke në sistem moj motër.
Ekonomistja e Postës – Nuk e di e kishe marrë apo s’e kishe marrë!
Pensionisti – Si nuk e di?! Unë dua një përgjigje tani o vëlla.
Drejtori i Postës – Po presim prokurorinë!
Pensionisti – Kjo përgjigjja është për mua?
Drejtori i Postës – Kjo është përgjigjja!
Pensionisti – Nuk jam hajduti, jam i vjedhuri. Ti si drejtori s’mban përgjegjësi fare. Faj ke se ti je drejtor dhe paguhesh nga taksat e të gjithëve neve.
Prokuroria e Korçës
Pensionisti – Më është vjedhur pensioni.
Punonjësi i prokurorisë – E ke bërë kërkesën tashti ti?
Pensionisti – Jo, po bën një muaj …
Punonjësi i prokurorisë – Mirë, do të të thërrasin, do të ashtu do të të thërrasin. Si e ke emrin ti?
Pensionisti – Pëllumb Bame.
Punonjësi i prokurorisë – Ja prit aty përjashta.
Pensionisti – Dua të sqarohem, jam për të ikur jashtë shtetit.
Pas disa minutash…
Punonjësi i prokurorisë – Ka ardhur kërkesa këtu dhe e ka marrë prokurore Odeta Todorushi. Tani kur të të thërrasë prokurorja. Në rregull?
Pensionisti – Përgjigje me një fjalë s’ka, kur të më thërrasë ajo?
Punonjësi i prokurorisë – Po. Ajo si do të ta mendojë përgjigjen si e mendon. Kaq, mirupafshim.
Drejtoria e Policisë Korçë
Pensionisti – Po kudo që rend përgjigje e duan vetëm tani nga prokuroria.
OPGJ – Po ta ka vjedhur punonjësi tënd (i postës), çfarë faj kam unë? Duhet të më dëmshpërblesh!
OPGJ 2 – Sigurimet ia kanë kaluar lekët!
OPGJ – Ee sigurimet ia kanë thënë lekët (postës). Po të ka zënë një bela e madhe mo byrazer.
Pensionisti – Po si i bëhet?
OPGJ – Po në prokurori pse nuk vajte?
Pensionisti – Vajta në prokurori dhe më thanë se do të kthejmë përgjigje.
OPGJ – Po kthe përgjigje thuaj se dua të ha bukë.
Pensionisti – Prokuroria s’të fut brenda të të sqaroj. Tani unë do end nëpër prokurorira, nëpër gjykata.
OPGJ – Se nuk ma kanë thënë mua.
Pensionisti – Po mirë a është në kërkim ai (punonjësi i postës Igli Shkambi). Është kapur, apo s’është kapur!
OPGJ – Po jo oo, në kërkim kalon pas 1 muaji e gjysmë në kërkim ndërkombëtar që ta dish si procedurë. Një muaj e ca nuk kalon në kërkim ndërkombëtar. Mbas 1 muaji e gjysmë kalon në Interpol, në kërkim ndërkombëtar. Në qoftë se gjykata e nxjerr në masë sigurie. Po jo zvarritje, po kështu ecën shteti si breshka. Nuk ke punë ti fare as me prokurori as me një gjë. Ti tani shko merr lekët nga posta o Pëllumb. S’ke punë ti, ti mo i ke në bankë të sigurta. Edhe ti, ç’të duhet ty kush i vodhi në postë?! Ore nëm lekët! Ku e di ti që s’i ka vjedhur dhe drejtori paratë?! Ku e di ti?
Pensionisti – Po nuk isha.
OPGJ – Ëëë, ti ishe në Belgjikë.
Pensionisti – Ata mezi më dhanë përgjigje që janë tërhequr lekët apo s’janë tërhequr lekët. Po i thashë ti i ke në sistem moj motër asaj shefes.
OPGJ 2 – Mua s’më ka thënë njeri që hajde të marrësh dosjen.
OPGJ – Aty njeri rrezik se ka zënë me dorë njeri.
OPGJ 2 – E kanë hedhur gjëkundi (në prokurori).
OPGJ – Po gjynah që e lënë kështu, mund të na dilte ndonjë çështje tjetër aty.
Pensionisti – Nga ty faleminderit.
OPGJ – Po ç’më duhen mua faleminderit. Nuk ngop dot barkun ti me faleminderit. Ti do të ngopësh barkun me pensionin.
Top Channel