BE tërhiqet nga investimi i projektit për portin e Durrësit. Granti 28 mln euro, ishte parashikuar që të mbështeste realizimin e projektit për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit.
Në një vështrim në faqen zyrtare të “Western Balkan Investment Framework” (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) ky projekt mban tashmë statusin ‘i anuluar’.
Në përshkrimin e projektit në këtë faqe, investimi i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta.
“Porti i Durrësit aktualisht trajton rreth 90% të shkëmbimit detar të vendit në tonazh dhe 53% të të gjithë tregtisë ndërkombëtare. Terminali ka gjithsej pesë kalata dhe ka një sipërfaqe prej 92,680 m2. Kalatat 1 dhe 2 janë në gjendje të keqe dhe të parregullt. E para u ndërtua në vitin 1972 dhe e dyta midis viteve 1945 dhe 1951. Disa rehabilitime u kryen në vitin 1994. Megjithatë, elementët strukturorë nën ujë tregojnë shenja korrozioni të konsiderueshëm, gjë që pengon funksionimin e sigurt të kapaciteteve të mëdha të ngarkesave. Për më tepër, thellësia e terminalit pranë kalatave varion midis 7 dhe 8.2 m, kështu që anije mallrash më të mëdha nuk mund të akomodohen në port. Projekti synon rehabilitimin e lidhjes hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, duke sjellë në përfundim të saj krijimin e një seksioni të rëndësishëm multimodal si pjesë e korridorit të rrjetit bazë të transportit, duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me Kroacinë dhe Italinë. Përveç kësaj, ata do t’i ofrojnë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut akses në rrugët e transportit detar.” -thuhet në përshkrimin e projektit, nga i cili BE tashmë është tërhequr.
Ndërkohë në seancë plenare, zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se anulimi i grantit ishte kërkuar prej saj në vitin 2019.
“E kam kërkuar unë me shkresë anulimin e saj me përgjegjësi të plotë në 2019,kur nuk flitej për Albbar. As e dinim se do vinte një ditë që porti i Durrësit do shfaqte interes për investitorët e hua. E kam kërkuar në 2019 që kjo kredi të anulohej. 28 mln euro kërkoheshin të merreshin kredi nga BE për të rritur kapacitetet e general kargos, pra për të future në port më shumë qymyr, cimento e grur.
Nuk kishte si të merrte Shqipëria 28 mln euro për të përmirësuar kalatën 1 dhe 2, sepse nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik. U ulëm me BE dhe e diskutuam pasi aplikimi i projektit ishte bërë para 12 vjetësh. Në 12 vjet ky vend ka ndërruar prioritete dhe strategji. Si mund të merrnim kredi për të cilën ishte menduar 12 vite me parë, për të forcuar kalatën, për të shtuar qymyrin dhe çimenton në portin e Durrësit. Ndërkohë Durrësi është projektuar si një hap turistik. Ka strategji dhe prioritete të reja për Shqipërinë, ashtu si edhe për Durrësin,” u shpreh Balluku në seancë plenare.
Top Channel