Ambasadori amerikan në Kosovë: Marrëveshja për targat shton sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizim

24/11/2022 09:32

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se marrëveshja e arritur të mërkurën mes Kosovës dhe Serbisë për targat, e shton sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizim mes vendeve.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja shton sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes dy vendeve.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, tha se me këtë marrëveshje Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Sipas BE-së, “palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”, si dhe “çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit (e Brukselit)”, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA