Një protestë e madhe ka shpërthyer në fabrikën më të madhe për prodhim të telefonave amerikanë iPhone, në qytetin kinez, Zhengzhou, sipas disa pamjeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.
Në video janë parë qindra punëtorë duke marshuar dhe me raste ata janë përballur me zyrtarët policorë.
Kompania prodhuese e telefonave iPhone, Foxconn, ka thënë se do të punojë më stafin dhe qeverinë lokale për të parandaluar dhunën e mëtejshme.
Ajo ka thënë përmes një deklarate se disa punëtorë kanë pasur dilema për pagesën, mirëpo ata do të paguhen sipas kontratave.
Nëpër rrjete sociale ka pasur edhe thashetheme se punëtorëve të rinj u është kërkuar të banojnë në dhomat e njëjta me punëtorët që janë të infektuar me koronavirus.
Mirëpo Foxconn ka thënë se konviktet dezinfektohen dhe kontrollohen nga zyrtarët lokalë, para se punëtorët e rinj të futen në to.
Muajin e kaluar është raportuar për rritje të numrit të të infektuarve në zonën afër fabrikës, çka ka shtyrë disa punëtorë që të braktisin vendet e punës dhe shkojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Më herët gjatë këtij muaji, Apple ka thënë se pret të ketë më pak prodhim të telefonave të modelit iPhone 14, për shkak të pengesave që kanë dalë në fabrikën në Zhengzhou.
Top Channel