Protesta e opozitës, Berisha: Të martën në 12:00 të gjithë në Bulevard, do të jehojë në Evropë

23/11/2022 19:45

Protesta e opozitës e planifikuar më 6 dhjetor do të mbahet në orën 12:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Orën e nisjes së tubimit të planifikuar nga opozita, e tha sot ish-kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se kjo protestë do të jehojë në të gjithë Evropën.

Protesta e 6 dhjetorit është planifikuar nga opozita pikërisht në ditën kur në Tiranë pritet të mbahet samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që kërkon të zhdukë opozitën, u shpreh kryedemokrati, duke e quajtur kryeministrin aktual, Edi Ramën, një fatkeqësi kombëtare.

“Ai që është sot kryeministër është një fatkeqësi kombëtare. Ndaj dhe ne do të jemi në shesh. Do të jemi në shesh kësaj radhe, më të mobilizuar se kurrë, sepse ditë pune është, ora 12:00 është. Por kur të thërret koha, nuk ka asnjë apel, kohës i përgjigjesh gjithnjë pa apel.
Nuk i kemi caktuar ne, i kanë caktuar të tjerë ndaj ne duhet të dalim në kohë aty. Dua ti bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, biznesmenëve, të martën në orën 12:00 të gjithë në bulevard. U bëj thirrje biznesmenëve që nëse nuk vini vetë, mos pengoni punonjësit tuaj, sepse kjo është një betejë ndër më të rëndësishmet. Kjo do të jetë një protestë paqësore. I dimë detyrimet që kemi për sigurinë dhe mikpritjen dhe këto nuk i konfondojmë me asnjë lloj rrethane. Por zëri ynë do të jetë i pranishëm aty, zëri ynë do të jetë.

Ky është i vetmi vend në Europë që kërkon të zhdukë opozitën. U them gjithë shqiptarëve; Ramiz Aliaj ishte diktator pa asnjë diskutim. Të gjithë ata që e mendonin ata liberal, gabonin, se ai në pamje ashtu dukej. Por në fakt ai zvarriste të rinj në kufij, në vitin 1990, se ekzekutoheshin dhe thonin që po shkelnin rregulloren e kufirit. Mes tjerash kishte drejtuar propagandën më terroriste për 25 vite në Europë.
Por ama në fund ai pranoi pluralizmin dhe nuk bëri këto përpjekje që bën sot Edi Rama për të shndërruar PD-në, në një parti 2 përqindëshe, defakto për ta zhdukur nëpërmjet militantëve xhelatë të pluralizmit në gjykata. Jo nuk e bënte këtë”, tha Berisha.

Ai theksoi se do të ketë një protestë paqësore më 6 dhjetor, duke paralajmëruar  se beteja kundër qeverisë do vijojë me protesta të tjera.

“Ky përpiqet që ne të mos jemi. Por ne do të jemi datën 6 në bulevard. Ky kërkon të na zhdukë ne, por këtë nuk ja pranojmë kurrë atij. Ai do të përballet me të gjitha pasojat. E them edhe njëherë, data 6 do të jetë protestë paqësore. Data 6 do të jetë një betejë, e cila vazhdon.
Ky kalon nga superskandali në superskandal. Ky nuk njeh kufij, normë, parim. A e shihni betejën që zhvillohet për skapin dhe SPAK-un. Çfarë vendi jemi ne. Ne vetëm vendi i lirë nuk jemi. Ne jemi njerëz me ideale, do ti kthejmë dinjitetin shqiptarëve. Ata që mendojnë se mund të na asgjësojnë ne, do të përballen me të gjitha pasojat e kësaj përpjekje. Kjo është një protestë paqësore, por beteja vazhdon me protesta të tjera”, tha Berisha.

“Edi Rama de fakto ka shkatërruar dhe shkatërron këtu vlerat Europiane. Edi Rama është absolutisht përgjegjës penalisht për vepra që shkojnë në dhjetëra e dhjetëra vjeçarë që meritojnë dënime. A mund ta lejë opozita shqiptare pa paraqitur atë ditë me vërtetësi të gjithë problematikën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurrë nuk mund ta lejë. Unë kam bindjen se protesta jonë do të mirëpritet në mbarë opinionin Europian dhe botëror. Dhe nga liderat e këtyre demokracive, që për arsyet e tyre janë të mirëseardhur në Shqipëri. Ne e kemi përshëndetur vendimin e tyre për të ardhur në Shqipëri. Kjo përshëndetje e jona nuk ka asnjë lidhje me mikëpritësin e tyre, Edi Ramën. Kjo përshëndetje e jona, për një nderim që u bëjnë qytetarëve shqiptarë me praninë e tyre dhe mundësinë që i japin opozitës shqiptare për të paraqitur para tyre dhe mbarë botës problematikat e mëdha që sot Shqipëria. Vota e lirë, e kanë marrë patronazhistët. Asnjë nga këta lider nuk është zgjedhur me patronazhistë. Asnjë prej tyre në jetën e tij, nuk u ka bërë thirrje policëve, dilni e mblidhni vota. Asnjë prej tyre nuk ka ndërtuar në shtetin e tyre, narkoshtetin që ka bërë Edi Rama. Asnjë prej tyre nuk ka shkelmuar interesat kombëtare të vendit të tij, siç bën Edi Rama. Asnjë prej tyre nuk ka vrarë shpresën dhe ti shndërrojë në popull gomonesh, të tejkalojë, Sirinë dhe Afganistanin siç jemi ne sot. Të eksportojë krim dhe vetëm krim, më shumë se çdo gjë, krim dhe drogë.
Pra protesta jonë është një mesazh i fuqishëm i shqiptarëve që ne nuk pajtohemi me këto. Ne qëndrojmë për vlerat evropiane, për një Shqipëri të standardeve demokratike, të votës së lirë, të dinjitetit të qytetarëve“, shtoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA