Shumë nga të vrarët e të plagosurit në tërmetin madhor në ishullin indonzian të Xhava ishin fëmijë, thanë sot grupet e shpëtimit teksa numri i viktimave u rrit tragjikisht në 268.
14 vjeçari Aprizal Mulyadi, ishte në shkollë kur tërmeti goditi dhe ai u bllokua në dhomë, ndërsa thotë se “këmbët m’u bllokuan nën rrënoja”.
Ai tregon më tej se u shpëtua nga shoku i tij Zulfikar, i cili vdiq më vonë pasi u bllokua edhe vetë nga rrenojat.
Më shumë se 1000 njerëz janë plagosur, thonë zyrtarët atje.
Në njoftimin e sotëm (e martë) qendra kombëtare e emergjencave tha se 151 njerëz janë të humbur.
Zyrtarët shtonin se 22,000 shtëpi janë dëmtuar dhe se 58,000 të evakuar janë strehuar në vendndodhje të ndryshme në rajon.
Tërmeti i magnitudës 5.6 goditi dje rajonin malor, duke shkaktuar rrëshkitje dheu që varrosën fshatra të tëra pranë qytetit Cianxur në Xhavën perëndimore.
Viktimat ishin shtypur nga muret e çatitë e shtëpive të tyre. “Gjithçka ndodhi kaq shpejt”, thotë Aprizal për rrjetin AFP.
Një përfaqësues i agjencive të shpëtimit tha se shumë nga viktimat ishin të rinj.
“Shumë nga viktimat ishin fëmijë pasi në ora 1 të pasdites ata ishin ende në shkollë”.
Tërmeti që goditi në një thellësi të vogël prej 10km, u pasua nga dhjetra pasgoditje që dëmtuam më shumë shtëpitë e ndërtuara dobët.
Në fshatin e Cibereum, një familje po përpiqej të nxirrte trupin e djalit të tyre 28 vjeçar të vrarë nga shembja e kateve të tjera të shtëpisë.
Grupet e shpëtimit nuk arrinin të gjenin trupin.
“Gërmuam në betonin e katit të dytë që shtypi viktimën, e shikojmë trupin e tij”, tha zyrtari ushtarak Sergeant Payakun për BBC.
Presidenti Joko Widodo vizitoi sot zonën e katastrofës ku ishte fotografuar me grupet e shpëtimit.
“Udhëzimi im është t’i jepet prioritet evakuimit të viktimave të mbetura nën rrënoja”, tha ai.
Qindra policë e vullnetarë po marrin pjesë në përpjekjet e shpëtimit. Autoritetet kanë premtuar kompensim për komunitetet e prekura.
Top Channel