Shpresa Berisha 48 vjeçe vuan nga një deformim i rëndë i shtyllës kurrizore. E thënë ndryshe ajo ka një keqformim të kofshës në anën e djathtë, gjë që ka sjellë konsumim masiv në nyjen e kofshës.
Të njëjtin problem ka edhe kofsha e majtë. Problemet kanë filluar 23 vite më parë, që pas lindjes së fëmijës, por ajo nuk ka patur mundësi të trajtohet.
Si pasojë ajo ka përfunduar në karrige me rrota. Të gjendur pa zgjidhje, familja Berisha shkoi drejt Gjermanisë në vitin 2019 dhe kërkoi azil për arsye shëndetësore.
“Nuk doja as azil politik dhe as ekonomik, doja vetëm azil shëndetësor”, u shpreh familjari i pacientit, Artan Berisha.
Menjëherë atje futi letrat për të përfituar shërbim shëndetësor dhe kjo ndodhi. Pasi iu nënshtrua një sërë trajtimesh speciale në korrik të vitit 2021 Shpresës iu implantua në Gjermani një endoproteze totale e kyçit të hipit në anën e majtë.
“Nuk paguam asgjë. Është e trishtë që atë nuk ia jep vendi yt të ta japë Gjermani”, u shpreh familjari i pacientit, Artan Berisha.
Për fat të keq në janar të vitit 2022 çifti Berisha u deportua në Shqipëri. Vetëm 3 ditë më pas Shpresës i doli emri nga spitali që duhet të paraqitej për të bërë implatin edhe në këmbën tjetër, mundësi që ajo e humbi përfundimisht.
Pjesa dërrmuese e kërcit në kofshën e djathtë janë konsumuar plotësisht dhe kyçet kockore fërkohen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën, duke i shkaktuar dhimbje të forta dhe që nuk e lejojnë të lëvizë. Kjo situatë do të zgjidhej vetëm falë trajtimit me TEP të kofshës së djathtë, e njohur si endoproteza totale e hipit
Nevoja për këtë ndërhyrje është e dokumentuar edhe në certifikatën ortopedike të bashkangjitur nga spitali gjerman që i ka kryer implantin e këmbës së majtë. Shpresat që të përfitojë një shërbim të tillë në Shqipëri janë shumë të pakta, ndërkohë në Gjermani e përfitoi edhe pse ishte azilante për vetëm 3 vite.
Menjëherë sapo u kthyen nga Gjermania, në janar të këtij viti është bërë një konsultë pranë spitalit të Traumës në Tiranë ku ekipi mjekësor ka dalë në të njëjtin konkluzion që ka nevojë për ndërhyrje.
Por kjo është e pamundur në spitalin publik. Aty mungojnë protezat dhe si pasojë lista e pritjes është shumë e gjatë. Aktualisht, janë me qindra pacientë të cilët po presin radhën për ndërhyrje.
Vetë çifti Berisha nuk ka mundësi ta kryejë, pasi kostoja e tij shkon në disa mijëra euro. Në fakt Spitali i Traumës, i vetmi i këtij lloji në vend përballet prej vitesh me mungesën galopante të materieleve mjekësore. Në vitin 2016, kryeministri Edi Rama premtoi se do të merrte fund njëherë e përgjithmonë mungesa e protezave ortopedike, të cilat do të ishin krejtësisht falas. Bëhej fjalë për një investim me vlerë rreth 1 milion dollarë, që shtrihet edhe në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe spitalin rajonal të Durrësit.
“Deri më sot pacientët që kishin nevojë për proteza, ishin të detyruar që t’i paguanin vetë ato me një çmim dy herë me të lartë sesa ai që shpenzohet aktualisht nga buxheti i shtetit për blerjen e tyre. Ndërsa tani protezat, përveçse cilësore dhe të garantuara, për pacientët, do t’u kursejnë buxheteve të tyre familjare rreth 2 milionë dollarë në vit”.
Por 6 vite më pas, pacientët shqiptarë duhet të paguajnë miliona lekë për protezat, sërish nga xhepi. Mungesë e këtij produkti aq të kërkuar e dëshmon lista e gjatë, që aktualisht është 900 persona, por në muaj të caktuar ka kapur edhe 1200 persona.
Top Channel