Reshjet e shumta të shiut kanë sjellë problematika edhe në Tiranë, kryesisht tek Siri Kodra, ku në 7 banesa uji ka hyrë deri në pjesën e oborrit.
Për njërën nga familjet situata ka qenë më e rënduar për shkak se uji u ka hyrë brenda në shtëpi.
“Ka hyrë uji në shtëpi brenda, i kam ngritur teshat lartë kapicë. U mbushen familjet e tjera edhe ne plot, unë i kam ngritur teshat lart se nuk kam nga ia mbajë. Tualeti është top mbush me ujë, shkuam blemë edhe çizme se nuk mund të rrinim dot zbath. 2 çunat kam, gruaja dhe unë. Kemi ndenjur ne krevat se uji ishte poshtë, vishnim çizmet që të lëviznim”.
“Nga reshjet ne mbrëmë deri në afërsi të mëngjesit pothuajse na hyri uji brenda. Këtu mbrëmë nuk mund te dilje fare, këta thonë janë bllokuar kolektorët, pusetat. Shume shume keq është si sivjet nuk ka bër vaki, u lemeris e gjithë shtëpia, ku të shkonim vetëm të hipnim në tarrac lartë. Ishalla nuk bo vaki mo se me ardh ky qamet nuk bohet, u shkatërron çdo gjë që kishim lënë jashtë, çdo gjë iku dëm”.
Gjatë mbrëmjes së të dielës problematika janë shfaqur edhe në zonën e Don Boskos si dhe në Kombinat, ku është nevojitur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.
Shkëlqim Goxhaj: Objektet në të cilat kemi probleme janë shtëpi banimi kryesisht në zonën e Don Boskos, rruga Siri Kodra dhe në Kombinat. Këto janë zonat që kanë probleme ne territorin e bashkisë së Tiranës kur reshjet kalojnë normalen. Janë probleme jo shumë emergjente pra jo përmbytje të mëdha, kryesisht bodrume, oborre banesash. Ditën e sotme përsëri jemi ne terren por edhe thirrjet ne sallën tonë operative janë me te pakta.
Deri më tani në kryeqytet nuk ka pasur familje te evakuuara për shkak të rëndimit të situatës si pasojë e reshjeve të shumta që kanë përfshire vendin.
Top Channel